Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me zjarrin dhe gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë, duke e cilësuar situatën si një katastrofë mjedisore. Bajrami ka thënë se Sferka, si vendlindja e saj, po përballet me një problem të rëndë ekologjik, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi dhe veprime urgjente nga institucionet.
“Sferka është vendlindja ime, më dhemb shpirti kur e shoh se si para syve tanë, po shndërrohet në një katastrofë mjedisore”, ka shkruar Bajrami. Ajo ka theksuar se deponia në Sferkë nuk është vetëm çështje e menaxhimit të mbeturinave, por sipas saj paraqet rrezik serioz për shëndetin e banorëve dhe mjedisin.
“Deponia në Sferkë nuk është thjeshtë problem i menaxhimit të mbeturinave, është katastrofë ekologjike që po vret ngadalë banorët e kësaj zone. Poshtë saj ndodhen toka pjellore dhe livadhe ku fermerët kullosin bagëtinë, ndërkohë që nga deponia rrjedh lëngu i zi, i mbushur me substanca toksike dhe metale të rënda.
Tymi dhe flaka herë pas herë nga zjarret aty e bëjnë edhe më të madh rrezikun për ajrin që thithin banorët e zonës”, ka deklaruar ajo. Deputetja e zgjedhur e LDK-së ka kërkuar që për këtë gjendje të ketë përgjegjësi, duke kritikuar Qeverinë Kurti për moszgjidhjen e problemit. “Për këtë gjendje dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Qeveria Kurti deri tash dështoi ta zgjidhë këtë problem.
Për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, humbi mundësia të investoheshin me kohë 9 milionë euro nga BE-ja dhe 3 milionë euro nga Komuna e Pejës për mbylljen e kësaj deponie. Sot flitet se ky projekt nuk realizohet më as me 30 milionë euro. Ky është çmimi i papërgjegjësisë dhe i dështimit politik”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se pasojat e kësaj situate po i bartin qytetarët dhe jo zyrtarët institucionalë. “Më e keqja është se faturën nuk po e paguajnë qeveritarët, po e paguajnë qytetarët me shëndetin e tyre”, ka deklaruar ajo. Në fund, Bajrami ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e problemit. “Sferka nuk ka nevojë për arsyetime, ka nevojë për veprim urgjent.
Çdo ditë vonesë e thellon dëmin, e rrit koston financiare dhe mbi të gjitha e rrezikon jetën dhe shëndetin e njerëzve”, ka përfunduar Bajrami. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
