Ish-trajneri i Neymarit e kritikon Ancelottin

0%

Trajneri fitues i medaljes së artë olimpike me Brazilin, Rogerio Micale, ka vënë në dyshim mënyrën se si Carlo Ancelotti e menaxhoi Neymarin gjatë Kupës së Botës 2026, duke e krahasuar sulmuesin brazilian me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.

Pavarësisht se Neymari njoftoi tërheqjen nga kombëtarja pas eliminimit të dhimbshëm ndaj Norvegjisë, Micale beson se ai duhet ta rishqyrtojë vendimin dhe të synojë paraqitjen në Kupën e Botës 2030. Duke folur pas barazimit 1-1 mes America-MG dhe Londrinës të hënën, Micale shprehu pakënaqësinë për mënyrën se si Ancelotti e përdori ish-lojtarin e tij.

Sipas “ESPN”, trajneri u shpreh i habitur nga minutat e pakta që Neymari mori në Shtetet e Bashkuara. Sulmuesi mbërriti në turne i dëmtuar dhe luajti vetëm 14 minuta kundër Skocisë, si dhe 23 minuta në humbjen 2-1 ndaj Norvegjisë në fazën e 1/16 së finales.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe pse shënoi një penallti në fund të asaj ndeshjeje, ai nuk arriti të shmangte eliminimin e Brazilit, me Erling Haaland që i siguroi kualifikimin Norvegjisë. Micale beson se një futbollist i nivelit të Neymarit meritonte një rol shumë më të rëndësishëm. “Për mua, Neymari është futbollisti më i mirë brazilian.

Kush jam unë të flas për Ancelottin, por Neymari duhej të ishte shfrytëzuar më mirë, ashtu siç përdoren Messi, Cristiano Ronaldo apo Salah. “Kam pasur mundësinë të punoj në Egjipt dhe pashë se ekziston një proces i tërë për ta ndihmuar Salahun të japë maksimumin”, deklaroi ai.

Duke folur për gjendjen fizike të Neymarit, Micale shtoi: “Mendoj se polemika më e madhe lidhej me faktin nëse ai ishte 100 për qind fizikisht i gatshëm. Ylli, lojtari që bën diferencën, ka gjithmonë diçka të veçantë për të ofruar. Vetë prania e tij ka peshë edhe për shokët e skuadrës.

Unë nuk do të hiqja dorë kurrë nga Neymari.” Trajneri shpreson që sulmuesi të rikthehet edhe një herë me fanellën e Brazilit. “Për ciklin e ardhshëm dua ta shoh Neymarin në fushë. Unë paguaj biletë për ta parë Neymarin. Ka shumë ndeshje në Brazil ku nuk do të shkoja, edhe nëse do të më ftonin. Por nëse luan Neymari dhe është në gjendjen minimale fizike, unë do të jem në stadium.

“Neymari është i padiskutueshëm”, përfundoi ai. Megjithatë, këto dëshira bien ndesh me vendimin e vetë futbollistit. Pas eliminimit zhgënjyes ndaj Norvegjisë, një Neymar i përlotur njoftoi tërheqjen nga kombëtarja braziliane. Duke folur në stadiumin “MetLife”, aty ku kishte debutuar me Brazilin në vitin 2010, ai deklaroi: “U përpoqa, u përpoqa.

Karrierën me kombëtaren e nisa këtu në ‘MetLife Stadium’ dhe po këtu përfundon. Tashmë gjithçka ka marrë fund.”.

Burimi: Bota Sot