Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vazhduar procesin e konsultimeve për hartimin e Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, duke zhvilluar një tryezë me udhëheqësit e institucioneve të arsimit të lartë. Takimi u fokusua në përcaktimin e prioriteteve strategjike dhe në rolin e institucioneve të arsimit të lartë në hartimin dhe zbatimin e politikave të reja arsimore.
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, tha se Strategjia do të ndërtohet përmes një procesi bashkëpunues me institucionet arsimore, komunat dhe partnerët, me qëllim sigurimin e një zbatimi sa më të suksesshëm.
Sekretarja e Përgjithshme e MASh-it, Fadile Dyla, vlerësoi kontributin e institucioneve të arsimit të lartë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre në planifikimin dhe realizimin e objektivave të Strategjisë.
Koordinatori i procesit të hartimit të Strategjisë, Taulant Hoxha, theksoi se dokumenti do të përgatitet përmes konsultimeve të hapura dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë akterët relevantë.
Përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë prezantuan rekomandimet dhe propozimet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në krijimin e politikave që synojnë rritjen e cilësisë, inovacionin dhe zhvillimin afatgjatë të sistemit arsimor në Kosovë.
