“Sa herë që punoni mbi tokë, kujtoni minatorët”, rrëfimi nga

0%

“Sa herë që punoni mbi tokë, falënderoni Zotin që e keni këtë privilegj. Sa herë që uleni para tastierës, kujtoni minatorët tanë që janë me qindra metra nën tokë.”

Me këtë mesazh nis reportazhi i emisionit “Krejt Kapak” në Klan Kosova, i cili sjell një rrëfim nga thellësitë e minierës së Marecit, pjesë e kompleksit minerar të Artanës, duke pasqyruar përditshmërinë dhe sfidat e minatorëve që punojnë larg dritës së diellit.

Reportazhi tregon se dikur në këtë minierë punonin rreth 700 minatorë, ndërsa sot numri i tyre është zvogëluar në mënyrë drastike, duke reflektuar një nga problemet kryesore me të cilat përballet sektori minerar – mungesën e fuqisë punëtore. Aktualisht, në minierën e Marecit punojnë rreth 87 persona, prej të cilëve 46 janë të angazhuar drejtpërdrejt në punët nëntokësore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Drejtori i Departamentit të Prodhimit në Minierën e Artanës, Arben Ramadani, tha se numri i punëtorëve është ulur ndjeshëm pas daljes në pension të shumë minatorëve. “Para kemi pasur 130 deri në 140 punëtorë, por shumë prej tyre kanë dalë në pension.

Numri është zvogëluar dhe nga tri ndërrime kemi kaluar në dy, ndërsa një ndërrim është larguar për shkak të mungesës së punëtorëve”, tha Ramadani. Ai theksoi se, megjithëse ka interesim nga të rinjtë për t’u bërë pjesë e këtij profesioni, kushtet e punës dhe mundësitë që ofron sektori privat bëjnë që shumë prej tyre të zgjedhin profesione të tjera. “Miniera nuk është një punë e lehtë.

Minatorët janë në male, nuk janë në ambiente komode. Megjithatë, ky është një profesion që kërkon përkushtim dhe përgjegjësi”, u shpreh ai.

Përmes pamjeve dhe rrëfimeve nga brendësia e minierës, reportazhi sjell në vëmendje punën e vështirë të minatorëve, të cilët çdo ditë zbresin qindra metra nën tokë për të siguruar nxjerrjen e xeheve, duke punuar në kushte të rënda dhe larg syrit të publikut. Materiali i plotë është realizuar në kuadër të emisionit “Krejt Kapak” në Klan Kosova.

Burimi: Telegrafi