Irani ka goditur dy anije në Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar vdekjen e një anëtari të ekuipazhit dhe plagosjen e tetë të tjerëve, në një përshkallëzim të ri të tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Sulmet ndodhën të martën, në kohën kur SHBA-të rivendosën një bllokadë mbi portet iraniane, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni po “merrte kontrollin” e rrugës ujore. Kjo konsiderohet përshkallëzimi më i madh që nga marrëveshja kornizë e nënshkruar muajin e kaluar.
Ndërkohë, sulmet amerikane kanë goditur edhe qytetin portual të Bushehrit, ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor civil i Iranit. Zëvendësguvernatori i provincës, Ehsan Jahanian, deklaroi për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA se “katër pika në qytetin e Bushehrit u goditën nga predhat e armikut në mesditë”.
Sulme të tjera kanë goditur Abadanin, ku ndodhet rafineria më e vjetër e naftës në Lindjen e Mesme, si dhe qytetin portual Mahshahr, sipas Valiollah Hayati, zëvendësguvernator i provincës Khuzestan. Televizioni shtetëror iranian raportoi gjithashtu se pesë shpërthime u dëgjuan në perëndim të Bandar Abbasit, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Irani paralajmëron shtetet e Gjirit Gjenerali i brigadës Akraminia, zëdhënës i selisë ushtarake Khatam al-Anbiya, tha se Irani nuk do të lejojë “në asnjë rrethanë” që SHBA-ja të ndërhyjë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit. Ai paralajmëroi shtetet e Gjirit se çdo bashkëpunim me Uashingtonin do të konsiderohej “një akt lufte”.
Parlamenti i Iranit, i cili ishte pezulluar që nga shpërthimi i luftës në shkurt dhe rifilloi seancat të hënën, ka nisur punën për një projektligj të titulluar “Veprim strategjik për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ngushticës së Hormuzit dhe Gjirit Persik”.
Kreu i Komitetit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Ebrahim Azizi, konfirmoi në një postim të martën se projektligji ishte paraqitur zyrtarisht, ndërsa dronët amerikanë po godisnin rajonin. Ai bëri të ditur se po hartoheshin edhe masa të tjera.
Një numër deputetësh kanë kundërshtuar negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe kanë kritikuar faktin se nuk kanë pasur asnjë rol në memorandumin e qershorit. Parlamenti drejtohet nga Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili shërben gjithashtu si kryenegociatori i Iranit në bisedimet me Uashingtonin.
Zëdhënësi i ushtrisë iraniane deklaroi se rihapja e ngushticës varet nga “respektimi i të drejtave të kombit iranian”, duke shtuar se çdo përpjekje për ta rihapur atë përmes presionit ushtarak është “e dënuar të dështojë”. Kina kërkon ulje të tensioneve Kina u bëri thirrje të dyja palëve që të rivendosin kalimin e sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha në një konferencë për shtyp se “rifillimi i shpejtë i tranzitit normal dhe të sigurt përmes kësaj ngushtice është një kërkesë e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare”. Ai shtoi se Pekini do të “bëjë përpjekje të pandërprera për të ndihmuar në uljen e tensioneve” në këtë krizë.
Ndërkohë, Republika Islamike ka bërë të ditur se ka eksportuar rreth 80 milionë fuçi naftë gjatë 26 ditëve të fundit, pavarësisht tërheqjes së përjashtimeve nga sanksionet amerikane.
Ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad, deklaroi në Telegram se gjatë viteve të fundit janë krijuar mekanizma për të neutralizuar ndikimin e sanksioneve amerikane dhe se eksportet e naftës nuk do të përballen me vështirësi. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!