Një zjarr i fuqishëm në një pub në veri të Bangkokut ka shkaktuar vdekjen e të paktën 30 personave, ndërsa 75 të tjerë mbetën të plagosur, 24 prej tyre në gjendje të rëndë. Tragjedia ka rikthyer në qendër të vëmendjes shqetësimet për standardet e sigurisë nga zjarri dhe zbatimin e tyre në industrinë e argëtimit dhe turizmit në Tajlandë.
Sipas autoriteteve, zjarri shpërtheu në orën të së dielës dhe dyshohet se u shkaktua nga një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner të vendosur në tavan. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se fillimisht nga hyrja e lokalit dilte vetëm tym i dendur, ndërsa pak sekonda më vonë një kolonë e madhe flakësh përfshiu daljen, duke shkaktuar panik mes klientëve.
Edhe pse zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash, shumë persona mbetën të bllokuar brenda lokalit Rong Beer Na Lat Phrao. Sipas ekspertëve, materialet shumë të ndezshme të përdorura për dekorimin dhe izolimin akustik të ambientit u përfshinë menjëherë nga flakët, duke krijuar temperatura të larta dhe sasi të mëdha tymi toksik.
Policia tajlandeze po heton gjithashtu nëse daljet e emergjencës ishin të bllokuara, çka mund të ketë penguar evakuimin e klientëve. Lokali kishte kaluar një inspektim sigurie në muajin prill.
“Ashpërsia e këtij zjarri ishte pasojë e një ngarkese të madhe materialesh të djegshme”, deklaroi Busakorn Saenjuk, kryetare e Komitetit të Inxhinierisë së Mbrojtjes nga Zjarri në Institutin e Inxhinierisë së Tajlandës, e cila inspektoi vendin pas ngjarjes.
Sipas saj, tavani ishte i mbuluar me materiale dekorative shumë të ndezshme, përfshirë pemë dhe lule artificiale të përdorura për krijimin e një ambienti dekorativ, veçanërisht në zonën e skenës dhe të banakut, faktorë që kontribuan në përhapjen e shpejtë të flakëve.
