Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani nuk është deponuar asnjë nënshkrim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, pavarësisht raportimeve të fundit në media.
Ferati tha se LDK-ja do të trajtojë me seriozitet çdo kërkesë që plotëson kriteret statutare, por theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë iniciativë e formalizuar brenda partisë.
“Kanë qarkulluar lajme ditën e djeshme, edhe gjatë ditës sot, nëpër portale të ndryshme, tek të cilat nuk pashë ndonjë burim të cituar të informacionit, qoftë ndonjë eksponent serioz i LDK-së, qoftë ndonjë grupi serioz të LDK-së, edhe deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar.
Përndryshe, në momentin që ka kërkesa brenda për brenda organeve të LDK-së, sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh kanë me u trajtuar prej neve si parti dhe kanë me u shqyrtuar deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve.
Për momentin, e deri më tani kur po flasim, nuk ka numër, as nuk ka nënshkrime të deponuara brenda zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës ”, tha ai. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i shmanget procedurave statutare dhe ka dëshmuar vazhdimisht përkushtim ndaj demokracisë së brendshme në parti.
“Përndryshe, jemi të gatshëm, e thashë edhe në fillim, që me i trajtuar edhe normalisht me dalë deri në Kuvend. Kryetari Abdixhiku nuk është hera e parë sigurisht e s’do të jetë as e fundit, i ka tri kuvende që i ka kaluar me votë të fshehtë edhe absolutisht as pak nuk është që i ikën procedurave statutare të LDK-së.
Ai është një prej kryetarëve mendoj që i ka kultivuar në vazhdimësi demokracinë brenda LDK-së, edhe demokracinë statutare brenda rregullave të statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Duke komentuar praninë e presidentes Vjosa Osmani në zyrat e LDK-së gjatë takimit të fundit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Ferati tha se ajo ka qenë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së dhe se fokusi aktual i partisë mbetet formimi i institucioneve.
“E para, nuk është veç sot që kjo zonja Osmani është prezente në zyrën e LDK-së, është në baza ditore varësisht prej situatave që zhvillohen brenda për brenda LDK-së. Së dyti, ka qenë bartëse e listës së LDK-së me vendim të Kuvendit të Përgjithshëm që është organ që vendos për bartësen e listës.
Së treti, LDK-ja fokus të agjendës e ka themelimin e institucioneve të Kosovës, edhe po mendoj që kjo është tema kryesore për krejt palët brenda për brenda Lidhjes Demokratike, edhe po mendoj që është përgjigja kryesore që po e presin qytetarët e Republikës së Kosovës prej LDK-së, e jo se a po organizohet ose jo një kuvend ”, tha ai.
Në fund, sekretari i LDK-së u bëri thirrje strukturave të partisë që debatet dhe pakënaqësitë t’i trajtojnë brenda forumeve partiake dhe jo në publik. “Mbledhja e nënshkrimeve është shprehje demokratike, e një të drejte demokratike të njerëzve që kanë besim ndryshe, po e quaj kështu siç kanë bindje ndryshe.
Nuk besoj që ka brenda për brenda LDK-së as kryetarë dege, as deputetë të zgjedhur, e as eksponentë seriozë që dëshiron me i penguar themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, qofshin ata që po i mbledhin nënshkrimet, qofshin ata që po i refuzojnë ato.
Përndryshe, mua më mbetet si Sekretar i LDK-së me bërë thirrje për qetësi edhe delegatëve, në të njëjtën kohë edhe kryetarëve të degëve, kolegëve të mi që po e deklarojnë në publik situatën, me i ruajtur mendimet e tyre politike për brenda për brenda organeve të LDK-së. Fundja, kjo është pjesa jonë e demokracisë, kjo është e përbashkët e të gjithëve.
Nuk është e individëve, edhe këtu brenda këtyre forumeve e kemi të obliguar edhe me statut, edhe me moral politik, që me i diskutuar çështjet të cilat neve na preokupojnë ose na shqetësojnë, e jo me i shqetësuar anëtarësinë e gjerë, të cilët janë votues që kanë besim të pathyeshëm për LDK-në deri më tani”, tha Ferati. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
