Policia e Shtetit bën të ditur se gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut janë arrestuar ose proceduar 29 persona të dyshuar për zjarrvënie. Vetëm në 24 orët e fundit, policia arrestoi dy persona në Kavajë dhe Vorë, ndërsa një tjetër u procedua penalisht në Mallakastër për tre raste të ndryshme zjarresh.
Në Kavajë, flakët dogjën kullota dhe rreth 300 pemë agrumesh e ullinjsh, ndërsa në Vorë u dëmtua një sipërfaqe toke me dru frutorë. Në Mallakastër, një zjarr i shkaktuar nga shkëndija elektrike gjatë tërheqjes së një automjeti dogji dhjetëra pemë arre.
Policia u bën thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave të mos ndezin zjarre dhe të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm. Njoftimi i Policisë së Shtetit: 29 autorë të zjarrvënieve të arrestuar/ proceduar në qershor dhe në dy javët e para të korrikut.
Vijojnë masat në terren dhe hetimet për parandalimin e zjarrvënieve, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që ndezin apo tentojnë të ndezin zjarre, duke dëmtuar sipërfaqe toke, bimësinë, pemëtarinë, pronën, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, të dyshuar si autorë të 3 zjarrvënieve në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër. Gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të muajit korrik 2026, janë arrestuar/ proceduar 29 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.
Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe veprimeve operacionale të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në qarqe, me objektiv vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, u identifikuan 3 autorë të dyshuar në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër. Konkretisht: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan shtetasin S.
Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, u dëmtuan kullota në këtë fshat dhe 300 pemë (agrumesh dhe ullinjsh).
