Drejtori i institucionit për studime në arsim “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka kritikuar atë që e ka quajtur keqadministrim të Provimit të Maturës Shtetërore, duke thënë se shpërndarja e pyetjeve para dhe gjatë testimit e cenon besueshmërinë e rezultateve.
Në “Info Magazine”, Qehaja tha se nxënësit që kanë qasje në pyetje e përgjigje apo që mund të kopjojnë gjatë testimit janë në avantazh të padrejtë ndaj të tjerëve. Kjo është për keqardhje që ka një keqadministrim të tillë që lejon shpërndarje të tillë të pyetjeve para testimit, gjatë testimit, apo më shumë është për keqardhje që e njëjta ndodh ndër vite për dekada tash me radhë.
Pra, e keqja është mosreagimi institucional për me korrigju problemin, pasi që në fund të ditës, ata nxënës të cilët i kanë pasur ato pyetje, ato përgjigje, në secilin rast janë shumë më në avantazh se kushdo tjetër se si ka pasur pyetjet dhe përgjigjet dhe ata nxënës që kanë pasur mundësi me kopjuar dhe me komunikuar mes vete janë shumë më në avantazh sesa ata të tjerë që s’kanë pas dhe kjo mbikëqyrje dhe ky administrim dhe rigorozitet në administrim shumë selektiv në disa raste”, tha ai.
Qehaja theksoi se problemi përsëritet prej vitesh dhe se është shqetësues mungesa e reagimit institucional për ta zgjidhur atë. Sipas tij, administrimi jo i njëjtë në klasa ndikon drejtpërdrejt në rezultatet e nxënësve, ndaj kërkohet më shumë llogaridhënie për çdo shkelje gjatë procesit të testimit.
