Të paktën 51 persona kanë humbur jetën dhe mbi një milion të tjerë janë prekur nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet që kanë goditur Bangladeshin gjatë ditëve të fundit. Më shumë se gjysma e viktimave janë regjistruar në distriktin Cox’s Bazar, ku ndodhet kampi më i madh i refugjatëve Rohingya në botë.
Në këtë zonë, javën e kaluar, disa nxënës dhe një mësues humbën jetën pasi ujërat e përmbytjeve përfshinë shkollën e tyre. Reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash në shumë pjesë të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Daka, ku shumë rrugë mbeten të mbuluara nga uji, duke paralizuar qarkullimin.
Autoritetet kanë evakuuar banorët nga zonat më të rrezikuara, kanë hapur strehimore për mijëra persona dhe kanë shtyrë zhvillimin e provimeve në shkolla. Ekspertët theksojnë se, megjithëse Bangladeshi përballet rregullisht me përmbytje gjatë sezonit të musoneve, ndryshimet klimatike po i bëjnë reshjet më intensive dhe më të shpeshta.
Ndërsa situata në juglindje pritet të përmirësohet, autoritetet paralajmërojnë se në rajonet veriore dhe verilindore mbetet rreziku për përmbytje të reja.
