13 vdekje nga zjarri më i rëndë në Spanjë: Sanchez kërkon masa më të

0%

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka bërë thirrje për forcimin e masave parandaluese ndaj zjarreve, pasi një nga zjarret më vdekjeprurëse në historinë e fundit të vendit ka lënë 13 persona të vdekur dhe ka djegur mijëra hektarë tokë.

Zjarri në Los Gallardos, i cili është vënë nën kontroll pas katër ditësh përpjekjesh intensive, ka shkaktuar deri tani një bilanc prej 13 viktimash, ndërsa 23 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Autoritetet kanë regjistruar edhe 10 raportime zyrtare për persona të humbur.

Gjatë një vizite në komunën jugore Turre, ku u takua me ekipet e emergjencës që po punojnë për shuarjen e zjarrit, Sanchez tha se Spanja nuk duhet të reagojë vetëm pasi fatkeqësitë ndodhin, por duhet të investojë më shumë në parandalim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Duhet të mos reagojmë vetëm kur këto zjarre ndodhin, por t’i parandalojmë”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se ndryshimet klimatike po i bëjnë emergjencat natyrore gjithnjë e më të shpeshta. Zjarri, në kulmin e tij, u përhap me shpejtësi deri në 100 metra në minutë, duke zënë disa viktima në automjete ose gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga zona e rrezikut.

Mbi 200 zjarrfikës, automjete të shumta, helikopterë, avionë për hedhjen e ujit dhe njësi të ushtrisë spanjolle kanë marrë pjesë në operacionet e shuarjes së zjarrit. Aktualisht ekipet po përqendrohen në ftohjen e zonave të nxehta dhe kërkimin e personave të zhdukur.

Autoritetet kanë bërë të ditur se numri përfundimtar i viktimave dhe të zhdukurve do të konfirmohet vetëm pas përfundimit të identifikimit të trupave. Për këtë proces po ndihmojnë edhe autoritetet e Britanisë së Madhe, Belgjikës dhe Francës, përmes sigurimit të profileve gjenetike nga familjarët.

Dyshohet se zjarri nisi pas këputjes së një linje elektrike, e cila ndezi bimësinë e tharë nga temperaturat e larta mbi 40 gradë Celsius. Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po rrisin mundësinë e valëve ekstreme të të nxehtit dhe zjarreve më intensive, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

“Ndryshimet klimatike po kenë një ndikim shumë të madh dhe po përballemi me situata të jashtëzakonshme, gjithnjë e më shpërthyese”, tha lideri i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno. Spanja vitin e kaluar humbi pothuajse 400 mijë hektarë tokë nga zjarret pyjore, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për vendin sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com