Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një oficeri korrektues të Qendrës Korrektuese në Dubravë, me inicialet D.Q., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria.
“I pandehuri D.Q., në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria, me qëllim që të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria vlerëson se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se oficeri korrektues ka përmbushur elementet e veprës penale të marrjes së ryshfetit. Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues, përkatësisht ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
