Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë të hënën, më 13 korrik, për Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë Bosnje dhe Hercegovinën dhe procesin e zgjedhjes së përfaqësuesit të ri të lartë.
Ajo nuk dha detaje të tjera, por deklarata vjen një ditë para mbledhjes së radhës së Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), ku pritet të vazhdojnë përpjekjet për emërimin e pasuesit të Christian Schmidtit, i cili dha dorëheqje në muajin maj.
Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë e ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe të sigurojë që institucionet shtetërore funksionojnë sipas saj. Atë e emëron Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), ndërsa, më pas, ai konfirmohet edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
PIC nuk arriti marrëveshje në mbledhjen e 30 qershorit, ndërsa synimi është që emërimi të bëhet deri më 14 korrik. Procesi po zhvillohet mes mospajtimeve ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për kandidatin dhe të ardhmen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë.
Deri në arritjen e një marrëveshjeje, PIC ka emëruar diplomatin amerikan, Louis Chrishock, si përfaqësues të përkohshëm të lartë. Gjatë vizitës në Sarajevë në fillim të korrikut, Kallas tha se BE-ja po punon për të propozuar një kandidat dhe theksoi se stabiliteti, sovraniteti dhe integriteti territorial i Bosnje dhe Hercegovinës kanë rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian.
Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) është mbledhur dy herë gjatë qershorit në përpjekje për të zgjedhur pasuesin e Schmidtit, por nuk ka arritur konsensus. Shtetet e Bashkuara mbështesin diplomatin italian, Antonio Zanardi Landi, ndërsa disa vende të Bashkimit Evropian favorizojnë diplomatin francez, Rene Trocaz.
Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se vazhdon të punojë për arritjen e një konsensusi rreth kandidatit italian, duke theksuar mbështetjen për integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjen e Dejtonit. Uashingtoni, njëkohësisht, ka thënë se pret që vendet evropiane të arrijnë së shpejti pajtim për emërimin e përfaqësuesit të ri të lartë. / REL
