Nga: BBC Shpërndaje në: Të paktën 27 persona kanë humbur jetën nga një zjarr i madh që përfshiu një lokal nate në Bangkok, tha kryeministri i Tajlandës. Zjarrfikësit u thirrën në vendngjarje pak pas mesnatës dhe gjetën klientët duke u përpjekur të largoheshin përmes hyrjes kryesore të lokalit, e cila ishte përfshirë nga flakët.
Kryeministri Anutin Charnvirakul u tha gazetarëve në vendngjarje se 27 persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë dërguar në spital. Ai theksoi se shkaku i zjarrit është ende nën hetim. Charnvirakul tha se kishte biseduar me një muzikant që po performonte në momentin kur shpërtheu zjarri. “Ai tha se zjarri nisi te çelësi kryesor elektrik dhe më pas gjithçka ndodhi shumë shpejt.
Pati shpërthime dhe të gjithë u përpoqën të largoheshin nga tymi dhe flakët. Shumë prej tyre nuk arritën të dilnin, sepse shkuan në pjesën e pasme të ndërtesës dhe u përpoqën të strehoheshin nga tymi dhe flakët në tualete. Pikërisht aty gjetëm shumicën e trupave”, ka thënë ai.
Lokali, i njohur në zonë si Rong Beer Na Lat Phrao, ndodhet në distriktin Chatuchak të Bangkokut dhe konsiderohet një nga lokalet dhe restorantet më të njohura të argëtimit në atë zonë, raportoi media tajlandeze Daily News.
