Nga viti në vit, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi vazhdojnë përpjekjet për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, një pyetje bëhet gjithnjë e më shqetësuese: pse nxënësit shqiptarë në shkollat shqipe nuk mësojnë sa duhet për historinë e kombit të tyre?
Prej kohësh, studiues, arsimtarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare kanë ngritur zërin për mangësitë e programeve mësimore dhe teksteve të historisë në shkollat shqipe të atij vendi.
Ndër zërat më të njohur është edhe historiani dhe studiuesi Dom Nikë Ukgjinaj, i cili ka shprehur shqetësimin se brezat e rinj shqiptarë në Mal të Zi po privohen nga njohja e thellë e historisë, kulturës dhe trashëgimisë së tyre kombëtare. Sipas tij, një popull që nuk njeh historinë e vet rrezikon të humbasë vetëdijen për identitetin dhe të ardhmen e tij.
Në këtë sfond, përgjegjësia nuk mund të kërkohet vetëm te institucionet shtetërore të Malit të Zi. Edhe klasa politike shqiptare mban pjesën e saj të përgjegjësisë, gjatë viteve e dekadave të kaluara. Për më shumë se tri dekada, partitë politike shqiptare kanë qenë pjesë e jetës institucionale dhe, në periudha të ndryshme, edhe pjesë e qeverive malazeze.
Megjithatë, rezultatet konkrete në fushën e arsimit kombëtar për fëmijt shqiptarë kanë mbetur larg pritshmërive të historianëve dhe studiuesve shqiptarë të atyre trojeve.
Ndonëse, shqiptarët nuk kërkojnë privilegje në këtë fushë, ata me plot të drejtë, kërkojnë të drejtën elementare që fëmijët e tyre të mësojnë historinë e popullit të cilit i përkasin, figurat e tij kombëtare, qëndresën e tij shekullore dhe kontributin e tij në qytetërimin evropian dhe historinë kombëtare.
Nëse partitë politike shqiptare arrijnë të bashkohen rreth kësaj kauze, ato do t’u lënë brezave një trashëgimi shumë më të vlefshme se çdo mandat politik: të drejtën që çdo fëmij shqiptar në Mal të Zi të njohë historinë e popullit të vet me dinjitet dhe me saktësi shkencore. Një arsim në gjuhën shqipe që nuk pasqyron historinë shqiptare në mënyrë të denjë mbetet i paplotë.
Prandaj, kritika e Dr Dom Nikë Ukgjinajt dhe e shumë intelektualëve të tjerë në ato anë, nuk duhet parë si sulm politik kundër askujt, por të shikohet si një thirrje ndërgjegjsimi qytetar. Sepse është thënë shpesh se një shtet demokratik nuk matet vetëm me zgjedhje të lira, me institucione funksionale apo me ritmin e nevojshëm të integrimit evropian.
Sepse, demokracia në një vend duhet të matet edhe me mënyrën se si një shtet që pretendon të jetë “demokratik”, u garanton komuniteteve të veta të drejtën për të njohur historinë, gjuhën dhe identitetin e tyre kombëtar, sipas standardeve ndërkombëtare.
Në këtë aspekt, ekspertë dhe studiues, që i ndjekin këto punë nga afër në terren, shteti dhe qeveria e Malit të Zi ende nuk e ka përfunduar provimin. Sepse, shqiptarët janë dhe njihen si popull autokton në Mal të Zi. Si të tillë, ata kanë dhënë një kontribut të çmuar në historinë, kulturën dhe jetën politike të atij vendi dhe rajonit.
Megjithëkëtë, fëmijët shqiptarë që ndjekin mësimin në gjuhën amtare në shkollat e vendit, vazhdojnë të mos kenë një pasqyrim të plotë, të balancuar dhe dinjitoz të historisë së kombit të tyre në programet zyrtare të historisë së vendit të tyre. Kjo situatë, për shqiptarët, nuk është një çështje e një rëndësie dytësore.
Por shikohet, në qarqet e informuara mirë, si një mangësi serioze që prek vetë themelin e identitetit kombëtar dhe të vetëdijes historike të brezave të rinj të shqiptarëve në atë vend. Natyrisht, se historia për njerzit dhet shtetet serioze nuk është propagandë dhe nuk duhet të jetë kurrë e tillë.
Por po aq i papranueshëm është fakti, që debatohet sot, kur historia e një populli, siç janë shqiptarët në Mal të Zi, reduktohet në disa faqe të librave të historisë ose të trajtohet si një shtojcë fakultative. Një arsim i mirë nuk ndërtohet mbi harresën e askujt historike.
Arsimi i mirëfilltë ndërtohet mbi njohjen dhe respektimin e historisë së të gjithë qytetarëve, pa dallim, të një shteti. Prandaj, në këtë debat që zhvillohet në atë vend, nuk mund të shmanget as roli dhe as përgjegjësia e klasës politike shqiptare në Mal të Zi.
Ndërkohë që historia kombëtare shqiptare nuk është shndërruar kurrë në një prioritet të panegociueshëm nga politika shqiptare vendase, shpeshherë, energjitë politike të partive shqiptare janë përqendruar, kryesisht dhe historikisht, te ndarja e posteve dhe tek interesat afatshkurtra politiko-ekonomike, ndërsa arsimi i brezave – investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e brezave të shqiptarëve – ka mbetur në hije.
Por, në këtë mes, përgjegjësia nuk është vetëm e politikës shqiptare, siç thashë më lartë. Janë edhe institucionet zyrtare arsimore të shtetit të Malit të Zi, ato që duhet ta kuptojnë, seriozisht, se respektimi i identitetit kombëtar të pakicave nuk përfundon, thjesht, me lejimin e mësimit në gjuhën amtare.
Por, ai duhet të përfshij edhe të drejtën e shqiptarëve në Mal të Zi, për një arsim përtej gjuhës amtare një arsim serioz që pasqyron drejt edhe historinë, kulturën dhe trashëgiminë e tyre kombëtare. Kjo, në të vërtetë, nuk është një kërkesë e veçantë e shqiptarëve sot në Mal të Zi ose diku tjetër.
Në botën e sotëme, ky është një standard i panegociueshëm i demokracive evropiane, pjesë e të cilave pretendon të jetë edhe Mali i Zi, ndërsa mbetet edhe një kusht i rëndësishëm për ndërtimin e një shoqërie të barabartë anë e mbanë në kontinentit evropian.
Kjo kërkesë, është në përputhje të plotë me standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës, Por, përveç përgjegjsisë dhe rolit të klasës politike shqiptare në Mal të Zi, që theksova më lartë, aq i rëndësishëm është edhe roli dhe përgjegjësia e elitës intelektuale shqiptare në Mal të Zi, në mbështetje të realizimit të kësaj nisme.
Historianët, studiuesit, akademikët, mësuesit dhe organizatat kulturore shqiptare duhet të flasin me një zë në lidhje me këtë çeshtje me rëndësi. Ata duhet të kontribojnë me argumente shkencore, me projekte konkrete dhe me bashkëpunim institucional për hartimin e programeve dhe teksteve që shkencërisht, pasqyrojnë me objektivitet historinë shqiptare të atyre trojeve, ndër shekuj.
Kjo pra nuk është vetëm një betejë e partive politike, por është një detyrë mbarë-kombëtare. Historia e vërtetë, nuk mund të mbrohet vetëm me akademi përkujtimore, me deklarata patriotike apo me fjalime në përvjetorë të caktuar historikë. Ajo duhet të mbrohet në klasë. Në bankat e shkollës, aty ku formohet mendja dhe ndërgjegjja kombëtare e një brezi të ri.
Nëse një fëmijë shqiptar në Mal të Zi ose kudo tjetër, përfundon arsimin pa njohur rrugëtimin historik të popullit të vet në ato troje, pa njohur figurat që ndërtuan identitetin kombëtar atje, dhe pa kuptuar kontributin e shqiptarëve në historinë e Malit të Zi dhe të Ballkanit, atëherë gjithë faktorët në këtë fushë kanë dështuar, të gjithë: shteti zyrtar, partitë politike shqiptare zyrtare, intelektualët, historianët, studiuesit shqiptarë dhe shoqëria, në përgjithsi.
Prandaj, ka ardhur koha që në lidhje me këtë çeshtje të rëndësishme të mësimit të historisë së shqiptarëve në Mal të Zi të dëgjohen zërat e informuar mirë dhe zërat e respektuar të arsyes dhe të dijes siç është Dr Dom Nikë Ukgjinaj e të tjerë studiues e historian shqiptarë të atyre anëve.
Ka ardhur koha për një marrëveshje të re morale dhe institucionale, sidomos, në radhët e faktorit shqiptarë në Mal të Zi në lidhje me këtë çeshtje. Se arsimi në gjuhën shqipe nuk duhet të kufizohet vetëm te përdorimi i gjuhës shqipe.
Por që arsimi i brezave të rinj të shqiptarëve në Mal të Zi, duhet të përfshij, patjetër, edhe të drejtën për të mësuar historinë kombëtare të shqiptarëve, në mënyrë të plotë, të balancuar dhe shkencore. Një gjë e tillë, nuk nuk cenon as nuk kërcënon askënd.
Përkundrazi, një trajtim i tillë i historisë së shqiptarëve në ato troje shekullore do forconte besimin ndërmjet komuniteteve etnike dhe e bën Malin e Zi një shtet më demokratik dhe më evropian në sytë e Evropës dhe botës, por çka është edhe më e rëndësishme në sytë e vet shqiptarëve autoktonë të atyre trojeve shekullore.
Sepse historia nuk është privilegj as nuk është koncesion politik për askënd. Nuk është as favor që i bëhet një komuniteti të caktuar, siç janë shqiptarët. Historia është e drejtë e një populli! Historia nuk është privilegj që jepet ose merret sipas vullnetit të pushtetit.
Ajo është një e drejtë legjitime e çdo populli dhe një pjesë e pandashme e identitetit të tij kombëtar, bazuar në marrveshje ndërkombëtare, përfshir Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut të vitit 1948. Prandaj, një shtet që synon të ndërtojë një të ardhme të përbashkët nuk duhet të ketë frikë nga e vërteta historike e asnjërit prej grupeve të qytetarëve të vet.
Por sa u përket shqiptarëve në Mal të Zi, në fund të fundit, një komb nuk humbet kur harron datat e historisë. Ai fillon të humbasë, keqas dhe përgjithmonë, kur harron se kush është. Pikërisht, për këtë arsye, historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi nuk është një debat i së kaluarës.
Por duhet të jetë një investim serioz kombëtar dhe në bashkpunim, për të ardhmen e një shoqërie demokratike, ku çdo fëmijë, pa dallim etnie, ka të drejtë të njohë rrënjët e veta dhe të ecë drejt së ardhmes me dinjitet, vetëbesim dhe respekt për të tjerët. Për ndryshe, të mohosh historinë e një populli do të thotë t’i mohosh identitetin dhe dinjitetin e tij kombëtar.
Frank Shkreli Dr Dom Nikë Ukgjini, meshtar katolik me formim të thelluar në historinë kombëtare
