Futbolli ka dhuruar shumë momente të pazakonta, por pak prej tyre mund të krahasohen me atë që ndodhi në vitin 1994 në ndeshjen mes Barbadosit dhe Grenadës, një sfidë që edhe sot konsiderohet si një nga më të çuditshmet në historinë e sportit.
Në pamje të parë, bëhej fjalë për një ndeshje të zakonshme kualifikuese për Kupën e Karaibeve 1994, mes dy kombëtareve të vogla që synonin një vend në fazën finale të turneut. Megjithatë, rregullat e veçanta të kompeticionit krijuan një situatë absurde, ku një skuadër vendosi të shënonte qëllimisht autogol për të rritur shanset e saj për t’u kualifikuar.
Barbadosi po fitonte 2-0 deri në minutën e 83-të, por Grenada ngushtoi rezultatin në 2-1. Në atë moment, fitorja me vetëm një gol diferencë nuk i mjaftonte më Barbadosit për të kaluar grupin, pasi kishte nevojë për sukses me të paktën dy gola epërsi. Në vend që të kërkonin golin e tretë në minutat e mbetura, futbollistët e Barbadosit morën një vendim të pazakontë.
Mbrojtësi Terry Sealey ia ktheu topin portierit Horace Stoute dhe më pas e dërgoi qëllimisht në rrjetën e skuadrës së tij, duke barazuar rezultatin në 2-2. Pasi kuptuan planin e kundërshtarëve, lojtarët e Grenadës tentuan të shënonin autogol edhe ata, pasi një humbje me një gol diferencë do t’u siguronte ende kualifikimin.
Futbollistët e Barbadosit u detyruan të mbronin njëkohësisht portën e tyre dhe atë të kundërshtarit, duke penguar Grenadën të shënonte në cilëndo prej tyre. Për disa minuta, Grenada sulmonte herë njërën portë e herë tjetrën, ndërsa Barbadosi përpiqej të ndalte çdo tentativë, duke krijuar një nga skenat më të pazakonta që ka parë ndonjëherë futbolli.
Rregulli që shkaktoi kaosin Shkaku i gjithë kësaj ishte një rregull i veçantë i organizatorëve të Kupës së Karaibeve. Në rast barazimi nuk lejoheshin rezultatet pa fitues. Ndeshja shkonte në vazhdime, ndërsa goli i parë – i njohur si “golden goal” – e përfundonte menjëherë sfidën. Ajo që e bënte rregullin unik ishte fakti se ky gol llogaritej si dy gola në rezultat.
Para kësaj ndeshjeje, Porto Riko kishte mposhtur Barbadosin 1-0, ndërsa Grenada kishte fituar ndaj Porto Rikos 2-0. Kjo bënte që Barbadosi të kualifikohej vetëm nëse fitonte ndaj Grenadës me dy ose më shumë gola diferencë. Kur rezultati shkoi në 2-1, kjo nuk mjaftonte më.
Prandaj Barbadosi vendosi të barazonte vetë ndeshjen, ta dërgonte në vazhdime dhe të kërkonte “golden goal”, i cili vlente sa dy gola dhe i siguronte diferencën e nevojshme. Në vazhdime, Barbadosi shënoi golin vendimtar, i cili sipas rregullores u regjistrua si dy gola.
Ndeshja u mbyll me rezultatin zyrtar 4-2, ndërsa Barbadosi e përfundoi grupin me golavarazh më të mirë se Grenada dhe siguroi kualifikimin. Një shembull klasik i “efektit kobra” Kjo ndeshje është bërë një nga shembujt më të njohur të asaj që ekonomistët e quajnë “efekti kobra” një situatë kur një rregull ose stimul prodhon pikërisht të kundërtën e asaj që synonte.
Termi vjen nga një histori e periudhës së sundimit britanik në Indi. Autoritetet vendosën shpërblim për çdo kobër të vrarë, me synimin për të ulur numrin e gjarpërinjve helmues. Në vend të kësaj, njerëzit nisën të rrisnin kobra për të përfituar nga shpërblimi. Kur programi u anulua, gjarpërinjtë u lëshuan në natyrë, duke e përkeqësuar problemin.
Raste të ngjashme edhe në sport Fenomeni është shfaqur edhe në kompeticione të tjera. Në Lojërat Olimpike të Londrës 2012, disa dyshe në badminton nga Kina, Koreja e Jugut dhe Indonezia u akuzuan se humbnin qëllimisht ndeshjet për të siguruar një short më të favorshëm në fazën eliminatore.
Edhe në Kupën e Botës 2018, Anglia kishte interes teorik të humbiste ndeshjen e fundit të grupit ndaj Belgjikës për të kaluar në anën më të lehtë të tabelës eliminatore. Edhe pse nuk ka prova se anglezët humbën me qëllim, trajneri bëri tetë ndryshime në formacion dhe skuadra u mund, duke përfituar më pas një rrugë më të favorshme drejt gjysmëfinales.
Së fundmi, edhe në Kupën e Botës 2026 pati polemika pas barazimit mes Austrisë dhe Algjerisë. Rezultati u siguronte të dyja skuadrave kualifikimin, ndërsa humbja mund t’i eliminonte. Edhe pse të dyja kombëtaret mohuan kategorikisht se kishin luajtur për barazim, në rrjetet sociale nuk munguan teoritë konspirative, me disa tifozë që e cilësuan ndeshjen si të “skenarizuar”.
Historia e Barbadosit dhe Grenadës mbetet edhe sot një kujtesë se ndonjëherë një ndryshim i vogël në rregullore mund të prodhojë situata krejtësisht të papritura, duke e kthyer futbollin në një lojë ku, për disa minuta, mënyra më e mirë për të fituar ishte të shënoje në portën tënde.
