Mërgata nuk kërkon privilegje, por respekt – Atdheu mbetet

0%

Edhe këtë verë, si çdo vit, mijëra bashkatdhetarë kanë marrë rrugën drejt trojeve të tyre. Disa kanë udhëtuar me avion, të tjerë me tragete nga Italia drejt Shqipërisë, shumë kanë zgjedhur veturat private, ndërsa një numër i konsiderueshëm ka udhëtuar edhe me autobusë. Për ta, ky nuk është një udhëtim i zakonshëm turistik.

Është kthimi në vendlindje, takimi me familjen, me kujtimet, me shtëpitë që i kanë ndërtuar me mundin e viteve të tëra në mërgim. Pavarësisht kritikave të shumta që u drejtohen herë pas here, mërgimtarët vazhdojnë të dëshmojnë se dashuria për atdheun është më e fortë se çdo koment nënçmues. Ata nuk i kushtojnë rëndësi zërave që përpiqen ta minimizojnë kontributin e tyre.

Përkundrazi, çdo verë ata zgjedhin të kalojnë pushimet në vendin e tyre, duke investuar kohën, emocionet dhe kursimet e një viti të tërë pune. Një vit i tërë pune, sakrificash dhe largësie kurorëzohet me muajin korrik dhe gusht, muaj që tradicionalisht u takojnë mërgimtarëve. Malli për familjen dhe vendlindjen mbetet po aq i madh sa edhe dekada më parë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Brezi i parë i mërgatës kthehet me mall për tokën ku ka lindur, brezi i dytë dhe i tretë e shijojnë vizitën si një lidhje të fortë me rrënjët e tyre, ndërsa brezi i katërt tashmë po përballet me një realitet tjetër. Për ta, lidhja emocionale nuk është më aq e natyrshme dhe kërkon më shumë angazhim nga institucionet e vendeve tona.

Kjo është një sfidë serioze për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi. Nuk mjafton të thuhet në çdo aktivitet se “mërgata është zemra e atdheut”. Kjo duhet të dëshmohet me politika konkrete, me projekte afatgjata dhe me programe që i afrojnë të rinjtë e diasporës me historinë, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar.

Nëse kjo nuk ndodh, çdo vit do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruhet kjo lidhje e natyrshme. Sipas informacioneve që kemi siguruar, një numër i madh mërgimtarësh edhe këtë verë kanë zgjedhur që fillimisht të pushojnë për disa ditë në bregdetin shqiptar, për të vazhduar më pas drejt vendlindjeve të tyre në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës.

Ndërkohë, bashkatdhetarët nga Mali i Zi vazhdojnë të frekuentojnë në masë bregdetin e Ulqinit, një nga destinacionet më të dashura për ta. Ditët që u mbesin pas pushimeve zakonisht i kalojnë mes familjarëve, në dasma, ahengje familjare, festa tradicionale dhe aktivitete të ndryshme që organizohen gjatë muajve korrik dhe gusht.

Këto nuk janë vetëm festa, por momente që forcojnë lidhjet familjare dhe ruajnë traditat shqiptare brez pas brezi. Potenciali ekonomik dhe kombëtar i mërgatës është i njohur për të gjithë. Miliarda euro që dërgohen çdo vit janë një shtyllë e rëndësishme për ekonominë e vendeve tona. Por kontributi i tyre nuk matet vetëm me remitancat.

Ata investojnë në shtëpi, biznese, arsim dhe mbështesin familjet e tyre, duke qenë ambasadorët më të mirë të shqiptarëve në vendet ku jetojnë. Megjithatë, shpeshherë mërgimtarët përballen me kritika të padrejta dhe me mungesë mirëkuptimi. Në rrjetet sociale nuk mungojnë komentet nënçmuese, ndërsa në praktikë hasin vështirësi që mund dhe duhet të shmangeshin.

Një nga problemet më të shpeshta mbetet infrastruktura dhe mungesa e vendeve të parkimit. Nuk është e drejtë që një mërgimtar të gjobitet për një parkim të gabuar kur në shumë raste mungojnë hapësirat e nevojshme. Në shumicën e vendeve ku ata jetojnë, pothuajse çdo qendër tregtare, institucion apo objekt publik ofron parking të mjaftueshëm për qytetarët.

Kjo është një kulturë që duhet të ndërtohet edhe në vendet tona. Natyrisht, rregullat duhet të respektohen nga të gjithë. Mërgimtarët janë mësuar me disiplinën e shteteve ku jetojnë dhe e dinë mirë se shkeljet ndëshkohen.

Por ata presin që edhe institucionet vendore të bëjnë pjesën e tyre duke krijuar kushte normale dhe duke mos e parë diasporën vetëm si burim të ardhurash gjatë sezonit veror. Përtej çdo kritike, një fakt mbetet i pandryshueshëm: edhe këtë vit mërgata ka zgjedhur atdheun.

Ka përballuar orë të gjata udhëtimi, kolona kilometrike në kufij, shpenzime të mëdha dhe lodhje, vetëm për të kaluar disa ditë në vendin e vet. Sepse atdheu nuk është thjesht një destinacion pushimesh. Ai është vendi ku ndodhen rrënjët, kujtimet dhe identiteti. Prandaj, është koha që mërgata të mos përmendet vetëm në fjalime festive.

Ajo meriton respekt, bashkëpunim dhe politika që e bëjnë të ndihet pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit. Sepse, në fund të fundit, dashuria e saj për atdheun nuk është dëshmuar me fjalë, por me vepra – vit pas viti, brez pas brezi.

Burimi: Bota Sot