Kemi shkruar disa herë për aktualitetin politik në Kosovë, për papërgjegjësinë totale të partive politike, në krye me liderët partiakë, të cilët po luajnë me fatin e popullit dhe të shtetit, duke vënë në plan të parë interesat personale dhe karrieriste. Kjo po i ndodh Kosovës pas 26 vitesh liri, gjë që askush nuk e ka pritur dhe as nuk e ka ëndërruar ndonjëherë.
Kjo gjeneratë politikanësh, e cila e ka bllokuar shtetin, vështirë se mund të konsiderohet politikisht normale, kur me veprimet e saj po dëmton rëndë funksionimin e institucioneve.
Nuk ka më asnjë justifikim që, tani pas zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën më 7 qershor për Parlamentin e Kosovës, të vazhdojë mendësia primitive e partive politike, duke iu shmangur në vazhdimësi përgjegjësisë për ndërtimin e institucioneve të reja. Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme dhe nuk guxon më t’i ndodhë Republikës së Kosovës.
Ka kaluar koha e patriotizmit të rremë folklorik, se kush po punon për shtetin e Kosovës dhe kush po vepron kundër tij. Populli tashmë është vetëdijesuar dhe është në pritje që sa më parë të formohen institucionet e reja të shtetit të Kosovës. Për këtë mbajnë përgjegjësi të gjitha partitë politike, pa dallim nëse janë në pozitë apo opozitë.
Mjaft më me kalkulime dhe obstruksione, me mënyra veprimi që shkojnë kundër të ardhmes së këtij vendi. Qytetarët, edhe pse u maltretuan katër herë duke dalë në votime, edhe tani janë në pritje që, më në fund, vota e tyre të shërbejë si mesazh dhe udhërrëfyes për krijimin e institucioneve legjitime dhe kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara.
Koha po tregon se këto parti politike e kanë humbur skajshmërisht kredibilitetin dhe imazhin e tyre, duke u marrë me politika primitive lokale, “të mahallës”, vetëm e vetëm për t’i mbrojtur interesat personale, grupore dhe klanore.
Tendencat përmes “vijave të kuqe”, të cilat u përfolën me vite ndërmjet subjekteve politike, tregojnë mjerimin dhe nivelin e një kulture primitive, e cila është dashur të tejkalohej një shekull më parë. Sot bota po përballet me luftëra, konflikte dhe rreziqe globale për sigurinë ndërkombëtare.
Në anën tjetër, Kosova, si shteti më i ri në Evropë, e cila me shekuj ka derdhur gjak për ta fituar lirinë dhe pavarësinë, sot po përballet me një klasë të brendshme politike, e cila i ka shkelur të gjitha kodet dhe normat morale, njerëzore e kushtetuese, duke u barrikaduar në dëm të shtetit dhe të popullit të Kosovës.
Andaj, kanë mbetur edhe pak ditë që të formohen institucionet e reja, dhe për këtë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë të gjitha partitë politike që janë pjesë e Parlamentit të Kosovës. Ato nuk mund të qëndrojnë indiferente, duke bërë kalkulime për interesa të ngushta partiake.
Deklaratat dhe kërcënimet e partive se nuk do të krijojnë kushte për t’i zgjedhur institucionet e reja, përfshirë Presidentin apo Presidenten, duhej të kualifikoheshin dhe të dënoheshin publikisht si veprime kundër shtetit të Republikës së Kosovës.
Historia dhe vuajtjet e popullit janë shumë më komplekse sesa kjo plejadë e të ashtuquajturve politikanë apo deputetë, të cilët po luajnë me ndjenjat dhe fatin e popullit. Në fund, më thotë mendja se kushdo qoftë që edhe kësaj radhe vazhdon me sjellje destruktive dhe me obstruksione për të penguar formimin e institucioneve të shtetit, diagnoza është e qartë.
Këta deputetë kanë probleme serioze në mënyrën se si po e ushtrojnë përgjegjësinë e tyre politike.
