Kapiteni i Norvegjisë, Martin Ødegaard, shprehu zhgënjimin e tij pas humbjes 2:1 nga Anglia pas vazhdimeve, rezultat që i dha fund rrugëtimit të norvegjezëve në çerekfinalen e Kupës së Botës. Norvegjia kaloi në epërsi në minutën e 36-të me golin e Andreas Schjelderup, por Anglia përmbysi rezultatin falë dy golave të Jude Bellingham. “Është shumë e vështirë ta pranojmë këtë humbje.
Ndiem se ishim shumë pranë kualifikimit. Mendoj se dhamë gjithçka nga vetja. Pësuam dy gola disi të lehtë, ndërsa gjyqtari nuk na ndihmoi aspak. Asnjë vendim nuk shkoi në favorin tonë ”, deklaroi Odegaard pas ndeshjes. Kapiteni norvegjez shtoi se fati dhe detajet e vogla ishin në anën e kundërshtarit. “Kishte edhe pak fat për ta dhe të gjitha detajet e vogla shkuan kundër nesh.
Është një ndjenjë e hidhur, por ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Gjithçka që kemi përjetuar së bashku ka qenë e pabesueshme dhe mund të jemi krenarë me veten”, tha ai për televizionin norvegjez ‘TV 2’. Ndeshja u shoqërua me dy momente shumë të diskutueshme të arbitrimit nga gjyqtari Clément Turpin dhe ekipi i tij.
Situata e parë ishte goli i barazimit të Anglisë, për të cilin pati pretendime se topi kishte prekur kabllon e kamerës para se aksioni të vazhdonte. Momenti i dytë ishte anulimi i golit të Norvegjisë për rezultatin 2:1, të realizuar nga Torbjørn Heggem. Goli u anulua për një faull në sulm, i cili sipas gjyqtarëve ndodhi para se topi të ishte në lojë.
