Dhoma ishte krejt e errët. Ishte një heshtje e plotë dhe nuk dëgjohej asgjë, veç një muzikë e largët që dukej se vinte nga Pallati i Kulturës në zemër të qytetit “Studenti”. Atje jeta rrjedh me një intensitet tjetër. Gjen kohë të studiojë, të shkojë në mbrëmje vallëzimi, të bëjë dashuri e pastaj të shkojë sërish në leksion. Lodhja tretet larg.
Atje edhe ai ashtu kishte vepruar kur ishte njohur me të shoqen, që tani nuk rronte më. Ofshani thellë. Ajo ofshamë iu duk se mbartte gjithë atë brengë të thellë. Endej në krevatin bosh. Kërkonte më kot të gjente një dritë shprese; në fakt, ajo mungonte prej kohësh, ishte zhdukur plotësisht, për të mos u kthyer më kurrë… Mbylli sytë. Dy lotë morën rrugën teposhtë faqeve.
Ndjeu të ftohtë dhe një drithërimë i përshkoi trupin. Ishte më shumë dhuratë e vetmisë ajo gjendje e tij. Kishte ditë që vuante një ndjenjë të pashpjegueshme malli. Dy djemtë kishin bredhur shtëpi më shtëpi, herë tek i vëllai, herë tek e ëma, ndërsa ai kishte jetuar net të tëra vetmie dhe heshtjeje. “Ajo është ngjitur në qiell dhe na sheh, çfarëdo që të bëjmë ne.
Nuk duhet ta mërzisim”, u kishte thënë një natë të dy djemve, që ishin ende të vegjël për të kuptuar kësi gjërash, por po ashtu e kishin të vështirë të përballonin mungesën e saj. “Po ne nuk e shohim dot, edhe pse ajo na sheh”, i kishin thënë.
Sa herë bëhej natë, ai tregonte njërin ndër yjet më të ndritshëm në kupën e qiellit, por kjo më vonë ishte kthyer në shqetësim, sepse djemtë mezi prisnin natën të vëzhgonin yllin e konturuar në përfytyrimin e tyre si e ëma.
Ai e kishte pasur shumë të vështirë t’ia mbushte mendjen Eltonit, kur në shkollë dikush nga bashkëmoshatarët e tij i ishte shprehur se nëna e tij ishte bërë baltë dhe se ajo nuk ishte ngjitur në qiell, por e kishin futur në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe. Pas kësaj Eltoni kurrë nuk e zinte në gojë të ëmën.
Madje, sa herë binte fjala për të, ai bëhej krejt i heshtur dhe dukej se bluante përbrenda diçka, ndërsa i vëllai, që ishte edhe më i vogël, tregonte me detaje episode të marrëdhënieve të tyre sa herë ai e takonte. Ishte fundvjeshtë kur Dionisi ishte sëmurë rëndë dhe ishte shtruar në spital. Nuk po dinin t’ia gjenin fillin sëmundjes së tij, edhe pse kurat kishin pasuar njëra-tjetrën.
Sëmundja e tij kishte alarmuar gjithë rrethin familjar, ndërsa vetë ai kishte filluar të dyshonte mos edhe Dionisi do të kishte fatin e së ëmës, e cila ishte tretur ngadalë, derisa një ditë ishte shuar krejt. Ky dyshim nuk kishte hedhur rrënjë vetëm tek ai, por edhe tek të tjerët dhe shpresat pothuajse kishin filluar t’i humbisnin të gjithë.
Aty në raftin e tyre të rrobave ishin, njëri pas tjetrit, xhupat e Eltonit dhe Dionisit: i pari i blerë nga halla e madhe, tjetri nga tezja; njëri i blerë nga gjyshja, tjetri nga gjyshja tjetër. Pastaj ndarja me lodra. Të gjitha ishin dhurata për Dionisin dhe Eltonin pas vdekjes së të ëmës, dhuruar nga të afërmit.
Sa herë ai hapte kanatat e rafteve të fëmijëve, ndihej keq dhe sytë i mbusheshin me lot. Me të tjera rroba i niste tek e ëma dhe me të tjera rroba i vinin. Me tjetër xhup i niste tek e motra dhe me një tjetër xhup vinin. Gjithmonë sillnin një lodër të re. Aq sa rafti i tyre i rrobave dhe lodrave ishte mbushur plot.
Po… të dy, sa herë ktheheshin në shtëpinë e tyre, merrnin vrapin nëpër dhoma, sikur kërkonin diçka. Pastaj Eltoni gjithmonë mbyllej në dhomën e tij dhe shkrehej në vaj, por kurrë nuk thoshte se çfarë donte, ndërsa Dionisi niste historitë e tij me të ëmën. Sikur i prekte me dorë sytë, buzët, ledhatimet e saj.
Tregonte gjithë pasion, sikur ta kishte aty dhe sikur nuk ngopej së treguari, derisa e zinte gjumi. “Më fërko pak shpinën, sikur ma fërkonte mamaja”, i thoshte të atit kur donte të flinte. Por kur i ati niste t’i ledhatonte me gishta shpinën e tij të vogël, ai, nëpër atë kllapi gjysmë gjumë e gjysmë zgjuar, mërmëriste sikur bisedonte me të ëmën.
Pastaj i ati vinte re një lot që ngrinte në mollëza dhe e kuptonte se ai ishte në gjumë. Kështu bënte edhe atje, në dhomat e spitalit, ku gjithmonë kishte më shumë se dy njerëz që, tek koka e tij, prisnin qoftë edhe një ndryshim të vogël.
Një ditë, papritur, kishte mbërritur edhe i vëllai i Martini prej Romës, i alarmuar për gjendjen e Dionisit, i cili i kishte qortuar ashpër për vajtimin që i bënin për së gjalli nipit të tij të vogël. Ardhja e tij sikur e kishte ngjallur. Pastaj ishte futur në dhomën-zyrë të mjekut, prej të cilit nuk dihej se çfarë kishte kërkuar.
Me hapa të rreptë kishin hyrë të dy në dhomën e Dionisit të vogël, prej nga i kishin nxjerrë të gjithë përjashta. Vetëm Gjini, si një statujë, mbështetur në cepin e krevatit, ndiqte mjekun teksa vijonte kurën. Pastaj të dy e kishin ngritur Dionisin në këmbë dhe e kishin bombarduar me ato lavdërime të pakuptimta për të. “Shihe sa mirë që je, a nuk të kisha thënë se ti do të shërohesh?
Ja, ti mund të ecësh vetë, bile edhe të vraposh. Ti je i fortë. Tani nuk ke asgjë. Nesër do të shkosh me xhaxhi Martinin të luash tek këndi i lojërave.” Gjinit desh i lëshuan këmbët kur ai papritur pyeti nëse e ëma e dinte këtë. “Po, po”, ia priti gjithë nxitim Martini, sikur t’i thoshte për diçka fare të vogël.
“Dhe unë mund të vrapoj vetë?” “Po, po, fare lehtë”, ia priti aty për aty mjeku. Ai e dinte mirë gjendjen e Dionisit, edhe pse thoshte të kundërtën. Askush nuk e duronte dot atë sëmundje të tij. Të gjithë dukej se prisnin, qoftë edhe kot, ca fjalë të mira pas asaj heshtjeje të gjatë të mjekëve. Dionisi u shkëput prej duarve të tyre dhe ia dha vrapit jashtë në korridor.
Të gjithë e ndoqën nga pas. Edhe mjeku, edhe ata që rrinin tek dera e dhomës. Ashtu, gjithë vrap, doli në oborrin e spitalit, ku u shtri me vështrimin nga qielli, ku kishte qindra yje që xixëllinin atë natë vjeshte. U përqendrua atje, në yllin që ndriçonte disi më shumë se të tjerët. “Mami, mami”, dëgjohej zëri i tij i hollë. “Unë jam mirë, kështu tha xhaxhi doktori dhe xhaxhi Martini.
Unë jam mirë, shikoje, unë mund të eci vetë, mund të vrapoj vetë!” Në shkallët e spitalit ishin hutuar të gjithë dhe vështronin atë që herë ia jepte vrapit në oborrin e spitalit, pastaj shtrihej me fytyrë nga qielli dhe thërriste me sa fuqi që kishte: “Mami, mami, unë jam shumë mirë!” Askush nuk kishte kurajë ta ndalonte. Ata të gjithë dënesnin dhe përjetonin një Zot e di se çfarë.
Një grua e re u ndal para tij. Nxori nga çanta një batanije të vogël fëmijësh, e mbështolli me të dhe e mori në krahët e saj. Frynte një erë e ftohtë veriu që të ngrinte. U drejtua për nga hyrja e spitalit. Dionisi i vogël qante me dënesë. “Babi, unë dua të vete tek mami, atje në qiell”, kishte mërmëritur duke qarë. “Kush e mbulon mamin?
Ajo ka shumë ftohtë.” Dhe kishte rënë në një kllapi të thellë. Gjini kishte vendosur ta çonte për herë të fundit Eltonin tek i vëllai, atje tek dhoma në spital. Pra, gjithsesi, i kishte hequr të gjitha shpresat. Eltoni ishte bërë i heshtur si një gur varri dhe nuk fliste as edhe një fjalë të vetme. Edhe ai ishte dobësuar, por askush nuk merrte vesh se ç’bluante në mendjen e tij.
Në korridorin e spitalit ai mendonte momentin e ndarjes së tyre, për të mos e parë më kurrë njëri-tjetrin, por nuk kishte folur asnjë fjalë. Aty, në dhomën e vogël, njerëzit ishin hapur në dy anët e krevatit për t’i lëshuar vendin Eltonit, i cili kishte rendur drejt krevatit të të vëllait. Me dënesë kishte nisur t’i thërriste në emër. “Ngrehu, zgjohu!”, thërriste me sa fuqi që kishte.
“Mami nuk është ngjitur në qiell, ajo ka vdekur. Po, po, ajo ka vdekur dhe e kanë mbuluar me dhe nën tokë. Zgjohu, zgjohu! Ti nuk duhet të ikësh. Ajo nuk mundi ta mundë sëmundjen. Zgjohu, zgjohu! Ku do ta lësh vëllain? Ti je i vogël. Ti nuk duhet të vdesësh.” Një pikë loti ra mbi ballin e Dionisit, i cili lëvizi kokën anash, sikur të zgjohej prej gjumit.
U mundua të belbëzonte diçka, por nuk mundi gjithsesi. Kishte filluar të ngjallej.
