Republika e Lirë e Liberlandit nuk duket edhe aq mbresëlënëse kur e sheh nga barka. Nuk do ta merrnit kurrë me mend se kjo sipërfaqe e rrafshët dhe me baltë, në zonën e përmbytjeve të lumit Danub, e mbushur me verrinj, tenda dhe shtëpiza mbi pemë, është e lidhur me disa prej burrave më të pasur në botë – përfshirë investitorin më të madh fillestar në biznesin e kriptovalutave të familjes Trump.
Në të kundërt, versioni në realitet virtual i Liberlandit që po më prezantohet aktualisht, i projektuar nga studioja arkitekturore ZHA e Zaha Hadidit, përmban kulla vezulluese, parqe publike lundruese dhe struktura ujore që sfidojnë gravitetin. Personi që po ma prezanton është Vít Jedlička, presidenti i Liberlandit.
Ai e themeloi mikroshtetin në një pjesë territori të diskutueshëm ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, me synimin për të krijuar një shtet vërtet libertarian dhe digjital, që funksionon me të njëjtën teknologji si kriptovalutat. Gjatë vitit të fundit kam ardhur në Liberland si pjesë e një dokumentari të BBC Two, “The Tech Billionaire Takeover”.
Liberlandi mund të duket dhe të tingëllojë si një shaka. Por ai financohet nga disa prej njerëzve më të pasur në botën e kriptovalutave dhe funksionon mbi një ide që ata po përpiqen ta eksportojnë: se vetë qeveria mund të zëvendësohet. Mbërrijmë në vend me barkë, sepse autoritetet kroate ua kanë ndaluar njerëzve të hyjnë atje nga toka.
Disa banorë të veshur me xhaketa kundër shiut dalin në breg për të na përshëndetur, ndërsa presidenti Jedlička, duke komunikuar përmes një megafoni, i dorëzon njërit prej tyre një medalje zyrtare. Në shumicën e demokracive moderne, secili ka një votë të barabartë. Por në Liberland gjërat janë ndryshe, falë një tokeni kriptografik që mund të blihet, të quajtur “Liberland Merits”.
Presidenti Jedlička më thotë se njerëzit zgjidhen përmes këtyre “Merits”. “Pra, njerëzit që kanë më shumë Merits kanë mundësi të kenë më shumë ndikim në përcaktimin se kush do të jetë në udhëheqjen e vendit”, thotë ai. Në praktikë, kjo do të thotë se mund të votoni drejtpërdrejt me paratë tuaja.
Liberlandi është gjithashtu plotësisht pa taksa, diçka që ma shpjegon ministri i tij i Brendshëm, Ivan Pernar, një ish-deputet kontrovers kroat, i cili u përjashtua nga parlamenti për përhapjen e teorive konspirative. “Zakonisht, njerëzit që besojnë në liri, në financa të decentralizuara e kështu me radhë, priren t’i përkasin shtresës së lartë të shoqërisë”, më thotë Pernar.
“Nëse nuk vendosim asnjë kriter përzgjedhjeje dhe themi se kushdo që hipën në barkë është i mirëpritur, do të përfundonim si Mbretëria e Bashkuar. Ne nuk e duam këtë.” “Pra, është liri, por… disa njerëz kanë më shumë liri se të tjerët?”, e pyes. Një nga mënyrat kryesore për të fituar pushtet dhe ndikim në Liberland duket se është përmes parave, sugjeroj unë. “Natyrisht”, thotë Pernar.
Ai thotë se, nëse në vend do të kishe “një tufë endacakësh pa asgjë”, të tjerët do të duhej të kontribuonin për përfitimet e tyre sociale. Më pas, ai i krahason të varfrit me kafshët. “Mos i ushqeni kafshët, sepse, nëse e bëni këtë, ato do të mësohen me të dhe do ta humbin aftësinë për ta ushqyer veten.
E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit.” Për mbështetësit e pasur të Liberlandit, ndihma ndaj të varfërve – apo në të vërtetë çdo formë e taksimit ose e rishpërndarjes së centralizuar të pasurisë – përbën një fyerje ndaj lirisë së tyre individuale. Nuk është për t’u habitur që këtë pikëpamje e ndajnë edhe njerëz të kësaj bote që kanë shumë më tepër para dhe ndikim se Pernari.
Miliarderi i bananes Gjatë vitit të fundit kam kaluar kohë me kryeministrin e Liberlandit, gjigantin kinez të kriptovalutave, Justin Sun.
Me mbështetjen e Sunit – si dhe të rreth 30 miliarderëve të tjerë të teknologjisë, siç pretendojnë ata – banorët e Liberlandit tani mund të kenë realisht qasje në paratë e nevojshme për të filluar ndërtimin e versionit të mikroshtetit të tyre me kulla vezulluese. Pasuria e Sunit vlerësohet në 8,5 miliardë dollarë, ose 6,4 miliardë paund.
Ai është ndoshta më së shumti i njohur për blerjen, për 6,2 milionë dollarë, të një vepre arti që përbëhej nga një banane e ngjitur në mur me shirit ngjitës, të cilën më pas e hëngri. Ai është akuzuar gjithashtu nga rregullatorët amerikanë për mashtrim dhe manipulim të tregut. Sun i mohon akuzat dhe së fundmi arriti një marrëveshje prej 10 milionë dollarësh për zgjidhjen e tyre.
Kompania e tij, Tron, është një blockchain, një rrjet global softuerik në të cilin mund të blihen dhe të shiten kriptovaluta. Ndryshe nga një bankë, ai nuk drejtohet nga një autoritet i vetëm. Është i decentralizuar dhe ekziston në shumë kompjuterë anembanë botës, gjë që e bën më të vështirë taksimin dhe rregullimin e tij.
E njëjta teknologji blockchain po përdoret për drejtimin e qeverisë së Liberlandit dhe, një ditë, nëse Sun arrin atë që dëshiron, ajo mund të përdoret edhe për drejtimin e qeverive tona. Qytetarët votojnë për ligjet dhe referendumet duke përdorur tokenë digjitalë, ndërsa votat numërohen dhe zbatohen automatikisht përmes kodit, në vend që të numërohen nga zyrtarët.
Megjithatë, në realitet, teknologjia gjendet ende në një fazë fillestare dhe zyrtarët njerëzorë vazhdojnë të jenë të nevojshëm për zbatimin e ligjeve. Sipas kompanisë së analizës së blockchain-it, TRM Labs, Tron është një nga platformat më të mëdha për transferimin e kriptovalutave të paligjshme.
Sipas raportimeve, kjo përfshin edhe fonde të lidhura me Hamasin dhe Hezbollahun, krahas fondeve të karteleve të drogës dhe rrjeteve mafioze. Sun thotë se Tron ka zhvilluar forma të reja bashkëpunimi me organet e zbatimit të ligjit për të luftuar transaksionet e paligjshme në blockchain, gjë që ka çuar në një rënie të madhe të vëllimit të veprimtarive të paligjshme në platformë.
Familja Trump e mirëpriti atë si investitorin kryesor në tokenët e biznesit të saj të kriptovalutave, World Liberty Financial. Sun investoi më shumë se 75 milionë dollarë në kompani, si dhe miliona të tjerë në memecoin-in e Donald Trumpit, investim që i siguroi një darkë me presidentin amerikan.
Presidenti Trump u tërhoq zyrtarisht nga kompania pasi mori detyrën, por fondi i familjes së tij vazhdon ta zotërojë atë dhe të përfitojë prej saj, duke shitur një monedhë kriptografike të quajtur USD1. Gjatë vitit të fundit, ai ka fituar më shumë se 1,4 miliardë dollarë nga kriptovalutat dhe mund të fitojë edhe shumë më tepër. Një planet pa kufij?
Mund të thuhet me siguri se familja Trump ka përfituar jashtëzakonisht shumë nga marrëdhënia e saj me Sunin. Por çfarë kërkojnë në këmbim Suni dhe sipërmarrësit e tjerë të kriptovalutave që janë afruar me familjen Trump? Liberlandi mund të na japë një ide. Në takimet personale, Sun është i ngrohtë dhe miqësor.
Ashtu si te miliarderët e tjerë që takova, pata përshtypjen se ai rrallë kishte mundësi të kalonte kohë me njerëz që nuk punonin për të ose që nuk i dëshironin paratë e tij. Shumica e bisedave tona përqendroheshin te fantashkenca dhe videolojërat.
Verën e kaluar, pasi Sun sapo ishte kthyer nga hapësira, ku kishte paguar 29 milionë dollarë për të udhëtuar me kompaninë Blue Origin të Jeff Bezosit, ai më telefonoi për të më treguar për përvojën. Atij i kishte lënë përshtypje ideja se “vetë planeti është pa kufij”, pa ndarje territoriale, dhe se “në radhë të parë nuk ekziston as koncepti i shtetit”.
Ideja se shteti-komb është i vjetruar dhe, për këtë arsye, mund të zëvendësohet nga teknologjia blockchain, është një nga arsyet përse ai vendosi të kandidonte për t’u bërë kryeministër i Liberlandit. Liberlandi nuk është një rast i izoluar. Ai është një nga disa prototipe të mikroshteteve të tilla, territore të shpallura si shtete të pavarura, por që nuk njihen ligjërisht si të tilla.
Próspera në Honduras, Instituti Seasteading i Peter Thielit dhe Draper Nation i Tim Draperit, një shtet plotësisht digjital që përdor Bitcoinin si valutë, po ndjekin të gjithë të njëjtën ide.
E takoj Draperin, i cili është edhe vetë një investitor miliarder në teknologji, në Draper University në Silicon Valley, programin e tij intensiv për themeluesit e rinj të kompanive teknologjike, ku studentët zotohen se do ta “promovojnë lirinë me çdo kusht”. Draper më thotë se beson që qeveria ofron “shërbim të keq me kosto të lartë” dhe se blockchain-i thjesht do ta zëvendësojë atë.
“Është vetëm çështje kohe”, thotë ai. Shumë prej këtyre ideve mund të gjurmohen deri te mendimtari kontrovers dhe themeluesi i kompanive teknologjike, Curtis Yarvin, i cili është quajtur “themeluesi i Iluminizmit të Errët”.
Ai është lavdëruar nga figura të së djathtës amerikane, përfshirë miliarderin e teknologjisë Peter Thiel dhe disa pjesëtarë të administratës aktuale Trump, mes tyre edhe nënpresidenti JD Vance.
Filozofia e tij është famëkeqe për paqartësinë e saj, por në thelb përbëhet nga një kritikë ndaj demokracisë, e cila, sipas tij, ka dështuar sepse niveli i emigracionit vazhdon të jetë shumë i lartë.
Ai arrin në përfundimin se demokracia duhet të zëvendësohet me një strukturë autoritare që gjendet diku ndërmjet një korporate, një monarkie dhe një mikroshteti të drejtuar përmes blockchain-it.
Pavarësisht se mediat i konsideron si njërën gjysmë të “Katedrales” – termi që përdor për atë që ai beson se është një pushtet ideologjik shtypës, i përbërë nga gazetarë dhe akademikë që drejtojnë fshehurazi shoqërinë perëndimore – ai pranon të takohet me mua në Berkeley të Kalifornisë.
Bëjmë një shëtitje të shkurtër, ndërsa Yarvini, i cili duket si një këngëtar punk në moshë, flet me rrëfime të gjata, të tërthorta dhe të stërzgjatura, duke iu referuar teksteve të panjohura dhe periudhave të ndryshme historike për t’i vërtetuar argumentet e tij.
Gjatë bisedës sonë, ai shpjegon konceptin e tij të quajtur “Patchwork”, sipas të cilit shtetet tradicionale do të zëvendësoheshin nga një rrjet global minishtetesh sovrane, në pronësi të aksionarëve, të cilat do të konkurronin për qytetarë në të njëjtën mënyrë siç një biznes konkurron për klientë.
Ai beson se blockchain-i mund të përdoret për ta krijuar këtë botë dhe se rezultati do të ishin “monarki korporative”, të sunduara nga “mbretër-drejtorë ekzekutivë”.
Këta monarkë korporativë do t’i jepnin llogari një bordi të fshehtë aksionarësh, të cilët potencialisht mund të kontrollonin edhe ushtrinë dhe policinë përmes diçkaje që ai e quajti një “crypto dingus”, një pajisje që do t’u mundësonte, në thelb, t’i çaktivizonin të gjitha armët.
Shumë prej këtyre miliarderëve të teknologjisë e shohin Trumpin dhe postin e tij si diçka të vjetruar, që përfundimisht do të zëvendësohet nga teknologjia e tyre superiore. Gjatë gjithë kohës që kalova duke takuar miliarderë të teknologjisë, gjithnjë e më shumë fitova përshtypjen se ata e konsideronin veten si zotëruesit e vërtetë të pushtetit.
Lobi i kriptovalutave tashmë e ka tejkaluar industrinë e lëndëve djegëse fosile dhe është bërë lobi më i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara, pasi ka kontribuar me 238 milionë dollarë gjatë ciklit më të fundit zgjedhor, sipas një analize të Fox Business. Yarvini, Suni, Draperi dhe Liberlandi na japin një ide për të ardhmen që disa prej tyre e parashikojnë për ne.
Nga Justin Suni te Liberlandi dhe Tim Draperi, të gjithë më thanë se si teknologjia blockchain dhe kriptovalutat mund të na çlirojnë ne – dhe paratë tona – nga kontrolli i qeverisë. Por kujt do t’ia dorëzonim kontrollin në vend të saj? Në çdo shembull që kam parë, përfundimi është i njëjtë: pasuria dhe pushteti përqendrohen në duart e atij që kontrollon teknologjinë./ BBC
