Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka paguar gati 3 milionë dollarë dëmshpërblim për personat e prekur nga i ashtuquajturi Sindroma e Havanës, një çrregullim misterioz neurologjik që gjatë dhjetë viteve të fundit është raportuar te diplomatë, agjentë të inteligjencës dhe anëtarë të familjeve të tyre.
Bëhet fjalë për pagesat e para zyrtare për punonjësit e agjencive shtetërore amerikane të lidhura me këtë gjendje, shkruan bbc . Rastet e para u shfaqën në vitin 2016 te personeli i CIA-s dhe diplomatët amerikanë në Havana të Kubës.
Të prekurit raportuan simptoma si marramendje, humbje dëgjimi, dhimbje koke, probleme me ekuilibrin, vështirësi në përqendrim dhe dëmtime të tjera neurologjike. Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë miratuar 21 kërkesa për kompensim, me një vlerë totale prej rreth 2.9 milionë dollarësh.
Pagesat janë bërë në bazë të Ligjit HAVANA, i miratuar nga Kongresi amerikan në vitin 2021, i cili u mundëson punonjësve të prekur të marrin mbështetje financiare për dëmtimet e pësuara. Shkaku i Sindromës së Havanës mbetet ende i paqartë.
Disa zyrtarë amerikanë kanë ngritur dyshime se simptomat mund të jenë shkaktuar nga armë me energji të drejtuar ose mikrovalë, ndërsa hetimet e shërbimeve amerikane të inteligjencës nuk kanë gjetur prova bindëse se pas rasteve fshihet një fuqi e huaj ose një fushatë e koordinuar sulmesh.
Pavarësisht mungesës së një shpjegimi përfundimtar për origjinën e sindromës, autoritetet amerikane kanë vendosur të kompensojnë personat që kanë pësuar pasoja shëndetësore gjatë shërbimit të tyre jashtë vendit.
