Thaçi ofron 50 mijë euro dorëzani për lirim me kusht

0%

Shpërndaje në: Mbrojtja e Hashim Thaçit ka bërë kërkesë te Gjykata Speciale për lirim me kusht duke ofruar një mori garancish, përfshirë 50 mijë euro dorëzani.

Mbrojtja ka argumentuar se garancitë e ofruara janë të ngjashme me ato që kishin paraqitur edhe bashkë të akuzuarit e Thaçit në rastin e “pengimit të drejtësisë” – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – të cilët u liruan me kusht gjatë vitit të kaluar.

Sipas njoftimit të Gjykatës, mbrojtja ka garantuar se Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, do ta dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Thaçi do të japë një adresë ku do të banojë në Kosovë për kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore dhe do të kërkojë leje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar para çdo ndryshimi të vendbanimit”, thuhet më tej në garancitë e mbrojtje. Mbrojtja ka thënë se Thaçi është i gatshëm të japë edhe siguri financiare në shumën prej 50 mijë eurove.

Gjithashtu, është garantuar se Thaçi nuk do të ketë asnjë lloj komunikimi me të bashkëpandehurit e tij në akuzat për pengim të drejtësisë Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu e Hajredin Kuçi, si dhe nuk do të ketë komunikim me dëshmitarët apo të dyshuarit në rastet e tjera që po i trajton Gjykata Speciale.

“Thaçi nuk do të diskutojë, përveç me anëtarët e caktuar të ekipit të tij të mbrojtjes, thelbin e çështjes së tij, përfshirë anëtarët e ngushtë të familjes, dhe do të njoftojë këdo që bën pyetje në lidhje me çështjen e tij se ai i nënshtrohet një ndalimi të tillë nga Gjykata”, vijon garancitë.

Mbrojtja tutje ka thënë se Thaçi në rast se lirohet me kusht do të përmbahet nga bërja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, e deklarimeve pulbike në media apo rrjetet sociale. Gjithashtu, një nga garancitë është edhe fakti se Thaçi do t’i nënshtrohej një kontrollimi javor nga Policia e Kosovës.

“Thaçi do të dorëzohet vetë në paraburgim, nëse urdhërohet kështu dhe do të marrë pjesë në çdo seancë dëgjimore të Zyrës së Prokurorit”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes. Sa i përket akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, seanca përfundimtare ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do të mbahet më 16 shtator.

Ndërkohë, procesi për “pengim të drejtësisë” është edhe në periudhën e dëshmive.

Burimi: Koha