Mjafton të dini cilin veprim ta bëni të parin, sepse një gabim i vogël mund ta bëjë dëmtimin edhe më të dukshëm Laminati kushton më pak se druri, ndërsa sipërfaqja e tij është e mbuluar me një shtresë të fortë mbrojtëse, rezistente ndaj gërvishtjeve dhe njollave. Megjithatë, nëse gërvishtjet shfaqen, ato mund të jenë shumë të dukshme.
Nëse nuk jeni gati ta zëvendësoni dyshemenë e laminatit, mund ta riparoni me disa metoda të thjeshta. Dyshemetë e laminatit nuk mund të lustrohen dhe të rinovohen si dyshemetë prej druri, ndërsa një gërvishtje e thellë ose një gropëzim në laminat vërehet lehtë.
Megjithatë, pastrimi dhe lustrimi mund t’i fshehin gërvishtjet sipërfaqësore, ndërsa ato më të thella mund të riparohen me materiale mbushëse. Ekspertët e pastrimit të shtëpisë theksojnë se pastrimi i dyshemesë së laminatit mund të ndihmojë në fshehjen e gërvishtjeve të lehta sipërfaqësore.
Së pari, është e dobishme ta fshini dyshemenë me fshesë me rrymë, në mënyrë që të largoni papastërtitë që janë grumbulluar brenda gërvishtjeve, shkruan Southern Living , përcjell Telegrafi. Më pas, lëmoni lehtë vendet e gërvishtura me një leckë të thatë. Gjurmët e gërvishtjeve mund t’i hiqni edhe me një gomë të pastër, që nuk lë shenja. Në këtë rast, goma e bardhë është zgjidhja ideale.
Pasi ta keni lëmuar sipërfaqen, përdorni një mjet pastrues për dysheme laminati, në mënyrë që ta pastroni dhe ta lustroni dyshemenë. Kjo duhet t’i mbulojë gërvishtjet sipërfaqësore, duke i kthyer ato në vija shumë të zbehta. Gërvishtjet më të mëdha mund të lënë një vijë të bardhë ose të çelët, e cila është e vështirë të mbulohet.
Nëse lustrimi nuk e përmirëson gërvishtjen, mund ta maskoni me një laps për mbulimin e njollave. Gërvishtjet e thella dhe gropëzimet mund të riparohen me bojë për dru ose me dyllë të veçantë për riparime. Duke i trajtuar gërvishtjet me kohë, mund t’ia zgjasni jetëgjatësinë dyshemesë së laminatit, para se të vijë momenti për ta zëvendësuar me një të re.
