Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois, nuk arriti t’i përmbajë emocionet pasi u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një lëndimi në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës, të cilën Belgjika e humbi 2:1 ndaj Spanjës. Spanja kaloi në epërsi në minutën e 30-të me golin e Fabian Ruiz, ndërsa Belgjika barazoi falë Charles De Ketelaere.
Fitoren për kampionët në fuqi të Evropës e siguroi Mikel Merino në minutën e 88-të, duke përfituar nga një gabim i madh i portierit rezervë belg, Senne Lammens. Portieri titullar i Belgjikës, Thibaut Courtois, u detyrua të largohej nga loja në mesin e pjesës së dytë (71’).
Pak para pauzës për freskim, ai u rrëzua në fushë dhe kërkoi ndihmën e stafit mjekësor, duke shkaktuar shqetësim në kampin e skuadrës së drejtuar nga Rudi Garcia. Edhe pse bëri çdo përpjekje për të vazhduar ndeshjen, dhimbjet ishin tepër të mëdha. Në minutën e 71-të, Courtois kërkoi zëvendësim dhe u largua nga fusha dukshëm i prekur emocionalisht.
Teksa po zëvendësohej nga Senne Lammens, ai fshinte lotët me fanellë, i dëshpëruar që nuk mund t’i ndihmonte më bashkëlojtarët në një ndeshje kaq të rëndësishme. Për Courtois, kjo ishte paraqitja e 21-të në Kampionatet Botërore. Mes portierëve, vetëm Manuel Neuer ka zhvilluar më shumë ndeshje në Botëror, me gjithsej 23.
