Ende pa u bërë një muaj që nga hapja zyrtare, Pishina e Gërmisë, në kulmin e sezonit veror, vazhdon të jetë e mbyllur tash e tre ditë. Mbyllja përkon me ankesat për cilësinë e ujit. Tani, Pishina e Gërmisë, pritet të rihapet pasi analizat laboratorike të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) vlerësuan se uji i plotëson standardet.
Kështu njofton NPL “Sport Marketing”, e cila ka falënderuar IKSHPK-në për nxjerrjen e analizave në kohë rekorde. “Ashtu siç edhe kemi pritur, uji në pishinën e Gërmisë i PASTËR SI LOTI”- ka shkruar ndërmarrja. Sot, KALLXO.com realizoi një storje lidhur me mbylljen e pishinës së Gërmisë për tre ditë rresht.
Enver Redenica, asamblist nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ka pranuar ankesa nga qyetarët se uji është i papastër. “Pas një jave kanë filluar ankesat që po i bie diku më 4 korrik që më janë drejtuar mua që uji është i papastër dhe pas dy ditëve që kanë vazhdu ankesat, unë iu kam drejtuar IKSHPK-së për inspektim të ujit dhe deri tash po del që ka telashe”- deklaroi asamblisti.
Megjithatë, drejtori i Ndërmarrjes Publike Lokale “Sport Marketing”, e cila menaxhon Pishinën e Gërmisë, Bardh Krasniqi, i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Ai ka deklaruar se analizat e brendshme të ujit kryhen rregullisht nga biologia e ndërmarrjes dhe se, sipas tij, nuk ka pasur ankesa nga qytetarët, përveç atyre të Redenicës, i cili është asamblist i LVV-së, për çka i ka cilësuar si të motivuara politikisht.
“Nuk kemi asnjë ankesë, përveç një ankese specifike që tri vite të një qytetari kushtimisht, por me profil politik sepse është asamblist i Vetëvendosjes”- tha Krasniqi. Nuk është hera e parë që Pishina e Gërmisë mbyllet pak ditë pas hapjes së sezonit. Edhe vitin e kaluar, mesi i muajit korrik e gjeti Pishinën e Gërmisë të mbyllur, pas një jave që ajo u hap zyrtarisht për qytetarët.
IKSHPK rekomandoi mbylljen e saj pasi analizat konstatuan se uji nuk i plotësonte standardet e përcaktuara për përdorim.
