Shpërndaje në: Ministria e Arsimit do të mbështesë nxënësit që regjistrohen në klasën e dhjetë në vitin shkollor 2026/2027, duke ndarë 100 bursa për profile deficitare dhe drejtime teknike.
Me bursa me vlerë prej 50 eurosh në muaj për tre vjet të shkollimit, synohet të nxitet interesimi për arsimin profesional dhe të përgatiten kuadro në fushat ku tregu i punës ka nevojë për fuqi të re punëtore Një numër nxënësish që në vitin shkollor 2026-27, regjistrohen në klasë të dhjetë në institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional do të mbështeten financiarisht.
Me vendim të Ministrisë së Arsimit, do të përfitojnë 100 nxënës dhe bursa do të ketë vlerën prej 50 eurosh në muaj. Ajo do të jepet për tre vjet të shkollimit. Përzgjedhja do të bazohet në suksesin e arritur të nxënësit, në klasat 6-9, i cili do të vlerësohet me 60 për qind, si dhe në rezultatin e testit të arritshmërisë që do të ketë peshë 40 për qind.
Mirëpo, në një përgjigje për KOHËN, Ministria bëri të ditur se edhe nëse kushtet i plotësojnë më shumë se 100 nxënës, ata nuk do të hyjnë në listat e përfituesve. “Sipas vendimit për bursa dhe në mundësitë buxhetore për këtë, numri i nxënësve përfitues do të jetë 100. Nga ky numër në drejtimet deficitare për vajza dhe djem 70, ndërsa në drejtimet teknike për vajza 30”, thuhet në përgjigje.
Njohësi i fushës së arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se mbështetja mund të lehtësojë vendimmarrjen e nxënësve për zgjedhjen e drejtimit profesional. Megjithatë, ai thekson se procesi i selektimit duhet të bëhet me kujdes. “Duhet shikuar mënyrën se si të përkrahen ata që janë të motivuar. E kisha dhënë bursën për nxënësit e mirë me notë mesatare mbi 4.
Është shumë me rëndësi secili lloj i nxënësit që shkon në drejtim të caktuar, jo doemos nxënësi që nuk ka prirje për fiziken. Është rast i mirë i suksesshëm i përkrahjes për t’u mbështetur për drejtime deficitare”, ka thënë Rexhaj. Ndërkaq, për të përfituar nga kjo mbështetje financiare, nxënësit duhet të regjistrohen në një nga drejtimet deficitare.
Këto përfshijnë: Zhvillues i Aplikacioneve Softuerike, Teknik i Sistemeve Solare Fotovoltaike, Pylltari, Agrobiznes, Automekanik, Asistent i Turizmit dhe Udhëtimeve, si dhe Përpunim Druri/Zdrukthëtar.
Ndërkaq, për vajzat që synojnë drejtimet teknike janë paraparë pesë profile: Instalues Elektrik, Instalues i Ngrohjes, Klimatizimit dhe Ujësjellësit, Automekanik, Teknologjia e Riciklimit dhe Teknik i Dizajnit Grafik. Thirrja për aplikim do të jetë e hapur nga 9 qershori deri më 1 shtator të këtij viti. Egzona Mema
