Shpërndaje në: ATK-ja ka raportuar rekord të hyrash për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. Por, përderisa institucioni këtë rritje ia atribuon masave kundër evazionit dhe përmirësimit të administrimit tatimor, ekonomia në këtë periudhë është përballur me rritje të çmimeve, që ndikon drejtpërdrejt në vlerën nominale të tatimeve të mbledhura Administrata Tatimore ka prezantuar të premten të hyrat e arkëtuara gjatë pjesës së parë të vitit 2026, që bazuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar janë për 71.5 milionë euro më shumë.
Përfaqësues të këtij institucioni kanë thënë se ky përbën rezultat rekord. Sipas ATK-së, për gjashtë muaj janë arkëtuar 595.6 milionë euro.
Bazuar në vlerësimin e këtij institucioni, rritja e vazhdueshme e të hyrave tatimore është rezultat i zbatimit të masave për forcimin e administrimit tatimor, avancimit të analizës së riskut, intensifikimit të aktiviteteve të monitorimit dhe kontrollit, si dhe krijimit të mekanizmave më efikasë për identifikimin dhe raportimin e evazionit tatimor.
Përfaqësues të ATK-së thanë se këto masa kanë kontribuar në rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, përmirësimin e disiplinës fiskale dhe zgjerimin e bazës tatimore, por shkallës së inflacionit nuk i kanë dhënë hise në rritjen e hyrjes së të dhënave.
“Rritja e të hyrave tatimore është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucionit për të përmirësuar shërbimet ndaj tatimpaguesve, për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të siguruar zbatim të drejtë e të barabartë të legjislacionit tatimor”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni.
“Do të vazhdojmë të investojmë në modernizimin e proceseve, fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e partneritetit me bizneset dhe qytetarët, me qëllim krijimin e një sistemi tatimor transparent, efikas dhe të besueshëm”. Brenda një viti, Kosova është përballur me inflacionin prej rreth 8 për qind.
E, inflacioni ndikon në rritjen nominale të të hyrave të ATK-së, edhe kur nuk ka ndryshim të normave tatimore. Tatimet mblidhen mbi vlerën në para të transaksioneve, pagave dhe fitimeve. Vetëm çmimet e konsumit janë rritur për 6 për qind në qershorin e këtij vitit krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, ka bërë të ditur të premten Agjencia e Statistikave (ASK).
Sipas saj, rritja është ndikuar nga grupet kryesore si transporti (13,7 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (11,1 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1%), restorante dhe shërbime akomodimi (4,5%), shëndetësia (4,1%), ushqime dhe pije joalkoolike (3,9 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,2 %), mobilie, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (3,0 %), veshje dhe këpucë (2,3 %), rekreacion, sport dhe kulturë (2,0 %) dhe informacion dhe komunikim (0,2 %).
Sipas të dhënave që ka prezantuar ASK-ja, ka qenë e papërfillshme rënia e inflacionit. “Në muajin qershor 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) pësoi rënie në një mesatare prej -0,1 % krahasuar me muajin maj 2026.
Rënia është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: ushqime dhe pije joalkoolike (-0,6 %) dhe strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-0,3 %)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Ndërkohë, rritje e çmimeve është regjistruar edhe në grupet: rekreacion, sport dhe kulturë (0,8 %), shërbimet arsimore (0,5 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0,4 %), transporti (0,3 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,2 %), mobilie, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (0,2 %), restorante dhe shërbime akomodimi (0,2 %), veshje dhe këpucë (0,1%) dhe shëndetësi (0,1%).
E, për të katërtën ditë radhazi çmimi i naftës në Kosovë është rritur. Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), çmimi i naftës për të premten do të jetë 1.47 euro për litër – tre centë më shtrenjtë se një ditë më parë.
Por, ATK-ja nuk ka përmendur askund rritjen e çmimeve, si faktor që ka ndikuar në rritjen e vlerës së grumbulluar nga taksat. Sipas ATK-së, përveç aktiviteteve dhe aksioneve të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, ky institucion ka realizuar edhe aktivitete të vazhdueshme monitoruese përmes vizitave dhe kontrolleve të fokusuara në sektorët me nivel më të lartë të riskut.
“Gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë kryer 1,015 kontrolle, me theks të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë, tregtisë, akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, si dhe në industrinë përpunuese. Si rezultat i këtyre aktiviteteve është konstatuar tatim shtesë në vlerë prej 58.5 milionë euro.
Paralelisht, janë shqiptuar 2,538 gjoba në vlerë totale prej 1.42 milion eurosh”, thuhet në një njoftim të ATK-së. “Krahasuar me vitet paraprake, trendi i uljes së numrit të gjobave tregon rritje të nivelit të përmbushjes vullnetare, si dhe efektet pozitive të edukimit dhe informimit të tatimpaguesve lidhur me përgjegjësitë e tyre”.
Kontribut të rëndësishëm në këto rezultate, sipas ATK-së, ka dhënë edhe bashkëpunimi me qytetarët. “Gjatë kësaj periudhe është shënuar rritje prej 50 për qind e raportimeve nga qytetarët, duke mundësuar identifikimin dhe trajtimin më efikas të rasteve të shkeljeve tatimore”, thuhet në njoftim.
E, në konferencën ku ka prezantuar të dhënat e gjashtëmujorit të parë të 2026-s, drejtori i ATK-së ka përmendur edhe procesin e certifikimit të arkave softuerike SEF, në kuadër të të cilit janë duke u licencuar operatorët ekonomikë.
Ai ka theksuar se ky projekt do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në formalizimin e ekonomisë në vend, si dhe do të mundësojë sigurimin e informacioneve me interes për institucionet relevante.
