​UP-ja shënoi 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, Bell: Dy vendet

0%

Universiteti i Prishtinës ka hapur këtë të premte edicionin 2026 të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës (Prishtina International Summer University), i cili këtë vit i kushtohet 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me temën “250 vjet si një fener i demokracisë për botën”.

Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, diplomatë, akademikë dhe ish-përfitues të programeve të shkëmbimit, u panë në aktivitetin që nisi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij rektori i UP-së, Arben Hajrullahu tha se 250-vjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është më shumë se një përvjetor shtetëror, duke e cilësuar atë si një moment reflektimi mbi idetë që kanë formësuar shoqëritë demokratike dhe kanë frymëzuar breza të tërë në mbarë botën.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Hajrullahu: 250-vjetori i SHBA-së, reflektim mbi lirinë, demokracinë dhe dinjitetin njerëzor “Ky përvjetor është shumë më tepër sesa kremtimi i lindjes së një shteti. Ai është një rast për të reflektuar mbi idetë që kanë formësuar shoqëritë demokratike dhe që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë në përpjekjet e tyre për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor.

Dyqind e pesëdhjetë vjet më parë, Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndryshoi jo vetëm rrjedhën e historisë së një kombi, por edhe mënyrën se si bota e kuptonte lirinë, përfaqësimin dhe marrëdhënien ndërmjet qytetarëve dhe atyre që i qeverisin.

E udhëhequr nga idealet e qëndrueshme të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë, Shtetet e Bashkuara nisën një rrugëtim të mbështetur në bindjen e thellë se çdo njeri gëzon dinjitet të lindur, se liria është një e drejtë themelore dhe se pushteti legjitim i qeverisjes buron nga vetë populli”, u shpreh Hajrullahu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se historia e demokracisë moderne amerikane ofron mësime të rëndësishme edhe për sfidat e sotme. Ai veçoi “Epokën Progresive” si një periudhë vendimtare, kur demokracia u përball me fuqizimin e korporatave të mëdha dhe rritjen e pabarazisë ekonomike.

Kurti: Ideali demokratik u përball me fuqizimin e korporatave dhe rritjen e pabarazisë “Për mua si socialdemokrat, megjithatë, kapitulli i historisë së SHBA-së dhe i mendimit politik amerikan që ka zgjuar gjithmonë interesin më të madh është e ashtuquajtura ‘Epoka Progresive’, nga vitet 1800 deri në vitet 1920, kur eksperimenti i çmuar amerikan në vetëqeverisje u desh të përballej me ngritjen e korporatave të mëdha me përgjegjësi të kufizuar (LLC) dhe, krahas kësaj, me hendekun gjithnjë e më të gjerë midis të pasurve të mëdhenj dhe të tjerëve.

A mund të mbijetojë ideali demokratik përballë tendencave të tilla? Në këndvështrimin tim modest, një nga mendimtarët më të rëndësishëm amerikanë që u mor me problemet demokratike të kësaj epoke është John Deëey, i cili nga shumë komentues quhet ‘hegeliani i majtë amerikan’ një cilësim me të cilin unë pajtohem”, tha Kurti.

Kurse, Wylita Bell nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, tha se 250-vjetori i SHBA-së është një moment për të reflektuar mbi vlerat e lirisë, vetëqeverisjes dhe arsimit, duke theksuar se historia e Kosovës në shumë aspekte pasqyron rrugëtimin amerikan drejt pavarësisë dhe demokracisë.

Bell në UP: Të dy vendet tona e dinë çfarë do të thotë të luftosh për liri “Historia e Kosovës, e pavarësisë, qëndrueshmërisë dhe shpresës jehon historinë amerikane në shumë mënyra. Të dy vendet tona e dinë se çfarë do të thotë të luftosh për liri, të investosh te të rinjtë tanë dhe të besosh se e nesërmja mund të jetë më e mirë se e sotmja.

Këtu në Universitetin e Prishtinës, ju ndani të njëjtin përkushtim për të investuar tek rinia dhe për të ndërtuar një të nesërme më të mirë për Kosovën. Përmes Shkollës suaj Ndërkombëtare Verore, ju keni mbështetur rininë e Kosovës dhe jeni lidhur me vlerën amerikane të arsimit”, tha Bell.

Burimi: Bota Sot