Shpërndaje në: Një autolarje me vetëshërbim në një nga lagjet e Prishtinës ka qenë cak i hajnave për të paktën shtatë herë në një periudhë të shkurtër prej dy muajsh. Pamjet e siguruara nga KOHA kanë treguar se akti i thyerjes ka ndodhur si ditën, por edhe në mbrëmje.
Në video të orëve të ndryshme mes 3 e 4 qershorit, një person shihet duke u futur në kabinat e autolarjes dhe duke e thyer pajisjen për mbledhjen e të hollave. Pronari i biznesit ka treguar se pajisja ka qenë cak i thyerjes në të paktën 7 raste brenda periudhës 5 maj – 13 qershor. Ai ka bërë të ditur se rastet i ka paraqitur edhe në Polici.
Sipas tij, dëmet në përgjithësi kanë qenë qindra euroshe, por ankesa ka qenë më shumë se si personi i njëjtë ka mbetur i lirë dhe e ka përsëritur veprën. Në Policinë e Kosovës kanë bërë të ditur se në lokacionin në fjalë janë raportuar gjithsej 7 raste të thyerjeve.
Në përgjigje është thënë se veprat dyshohet të mos jenë kryer nga një person i vetëm, por se vetëm ndaj një personi është iniciuar procedurë penale. “Sipas hetimeve të zhvilluara dhe informatave të mbledhura deri më tani, nuk bëhet fjalë për një person të vetëm, mirëpo deri më tani ndaj një personi është iniciuar procedurë penale.
Rastet vazhdojnë të jenë nën hetim dhe po trajtohen nga njësitet kompetente policore në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës. Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kur janë pyetur për këto raste kanë kërkuar sqarime shtesë lidhur me lëndët në fjalë. Pas dorëzimit të numrit të dy lëndëve, tash e dy ditë nuk ka përgjigje.
E pronari në një deklaratë për KOHËN ka shprehur zhgënjimin me autoritetet. “Nuk është çështje vetëm e të hollave… Më shumë është pasiguria që e ndjell kjo nëse një person apo persona të tillë mbesin të lirë edhe pse e kryejnë një vepër të vjedhjes”, ka thënë F.M..
