Një konflikt fizik mes dy bashkëvendësve në Dragash ka përfunduar me lëndime të rënda trupore për njërin prej tyre, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar me urdhër të Prokurorit, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 9 korrikut, rreth orës , kur Policia është njoftuar për një përleshje fizike mes dy personave.
Në të njëjtën kohë, në QKMF-në e Dragashit është dërguar për trajtim mjekësor A.XH. rreth 53-vjeçar , i cili kishte pësuar lëndime në kokë. Pas ndihmës së parë, ai është transferuar në Spitalin Rajonal në Prizren, për shkak të natyrës së lëndimeve.
Sipas burimeve të Sinjalit , viktima ka deklaruar para zyrtarëve policorë se ishte sulmuar nga Atdhe Piraj rreth 43-vjeçar , duke pretenduar se lëndimet në kokë i kishte pësuar si pasojë e goditjeve gjatë konfliktit. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjendja e të lënduarit po monitorohet nga mjekët në Spitalin Rajonal në Prizren, ndërsa deklarata e tij zyrtare do të merret pas përfundimit të trajtimit mjekësor.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë në vazhdim. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
