Nënshkrime për të thirrur Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës po mblidhen në mënyrë që të votohet shkarkimi i kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Kryetari Abdixhiku sot () ka deklaruar se nuk ka asnjë deponim të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të LDK-së. “Nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri më tani. Proceduralisht 1/3 e Kuvendit janë të lirë kur të duan t’i deponojnë.
Zgjedhjet e rregullta mbahen në afate të rregullta, vitin e ardhshëm. Një parti serioze matet sa i respekton vendimet e jo sa herë një pakicë do zgjedhje, por sapo të deponojnë do thërras Kuvendin”- ka thënë ai. Abdixhiku ka deklaruar se nuk dëshiron ndarjen e LDK-së dhe se nismat e njëanshme nuk i bëjnë mirë LDK-së.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, tha se ka nënshkruar kërkesën për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së dhe se janë edhe 150 nënshkrime të tjera që kërkojnë zgjedhje. “Unë i takoj një dege që ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në të gjitha strukturat e LDK. Jo vetëm që e kam nënshkru por janë më shume se 150 nënshkrime që kërkojnë zgjedhje.
Nuk kam njohuri a janë deponu. Kishte kërkesa që të mos ketë zgjedhje të parakohshme por kishte mendime që t’i jepet mbështetje kryetarit që të vazhdojë”- ka thënë Zemaj.
