Franca dhe Maroku rikthejnë në skenë një duel që ka mbetur në kujtesën e tifozëve, atë të gjysmëfinales së Botërorit 2022. Katër vite më vonë, në Boston, dy kombëtaret përballen sërish, këtë herë në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, me të njëjtën ambicie: të hedhin një tjetër hap drejt trofeut më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Franca mbërrin si një nga favoritët kryesorë të turneut. “Gjelat” kaluan me autoritet fazën e grupeve dhe fituan edhe në raundin e kaluar, megjithëse me shumë vështirësi, 1:0 ndaj Paraguait.
Skuadra e Didier Deschamps nuk njeh humbje në 12 ndeshjet e fundit zyrtare, me 11 fitore dhe një barazim, ndërsa synon suksesin e tetë radhazi, që do ta çonte në gjysmëfinalen e tretë rresht të Kupës së Botës. Në krahun tjetër, Maroku vazhdon të shkruajë histori për futbollin afrikan.
“Luanët e Atlasit” eliminuan Kanadanë me një fitore bindëse 3 me 0, duke treguar efikasitet maksimal në sulm. Marokenët janë të pamposhtur në dhjetë ndeshjet e fundit, me shtatë fitore dhe tre barazime, dhe kërkojnë revanshin pas humbjes 2 me 0 ndaj Francës në gjysmëfinalen e Botërorit 2022. Historia është në anën e francezëve.
Në gjashtë përballje mes dy skuadrave, Franca nuk ka humbur asnjëherë, me katër fitore dhe dy barazime. Megjithatë, forma e shkëlqyer e Marokut dhe ambicia për të përsëritur suksesin historik premtojnë një sfidë të hapur, ku vetëm njëra skuadër do të vazhdojë rrugëtimin drejt finales së Botërorit 2026.
