Bosnja dhe Hercegovina nuk do të ketë përfaqësues në Festivalin e Këngës në Eurovision 2027, duke vazhduar kështu mungesën disavjeçare në njërën prej garave më të mëdha muzikore në Evropë. Shkak për mospjesëmarrjen mbeten problemet financiare të transmetuesit publik BHRT, si dhe sanksionet e vendosura nga Unioni Evropian i Transmetimeve, EBU, për shkak të borxheve të papaguara.
BHRT ka konfirmuar për portalin ESC Today se Bosnja dhe Hercegovina nuk do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Eurovisionit. Transmetuesi publik boshnjak ende nuk është i kualifikuar për t’u rikthyer në garë, përderisa çështja e borxheve ndaj EBU-së nuk është zgjidhur.
Pengesa kryesore për rikthimin e vendit në skenën e Eurovisionit mbeten sanksionet financiare që EBU i ka vendosur më herët ndaj BHRT-së. Deri në shlyerjen e detyrimeve, transmetuesi publik nuk mund të marrë pjesë në konkurs. Ish-kryetarja e delegacionit të Eurovisionit, Lejla Babović, kishte paralajmëruar më parë për gjendjen e rënduar financiare të BHRT-së.
Sipas saj, borxhi i transmetuesit publik ka arritur në rreth 8.8 milionë euro, ndërsa për funksionim të qëndrueshëm BHRT-së do t’i duheshin rreth 15 milionë euro në vit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
