Orkestra ”Amadeus” akordohet për Pragë

0%

Shpërndaje në: Orkestra e fëmijëve dhe të rinjve ”Amadeus” tashmë s’është e panjohur në skenën botërore, vetëm brenda një viti ka lartësuar emrin e Kosovës në Austri dhe në Spanjë, e rrugëtimi vazhdon. Destinacioni i radhës: ”Musica Orbis Festivals” në Pragë ku përfaqëson Republikën e Kosovës në mesin e koreve dhe orkestrave nga e gjithë bota.

Festivali ndërkombëtar me karakter garues do të mbahet prej 9 korrikut deri më 13 korrik, e së paku tri paraqitje janë rezervuar për ”Amadeusin” Vigjilencë Islami Orkestra e fëmijëve dhe të rinjve ”Amadeus” e përbërë nga gjithsej 64 anëtarë që vijnë nga shkolla të muzikës të vendeve të ndryshme nga Prishtina, Gjakova, Ferizaj, Gjilani, Durrësi, Tirana dhe Shkupi, është akorduar për stacionin e radhës.

Do ta përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar të koreve dhe orkestrave, ”Musica Orbis” në Pragë, edicioni i tetë i të cilit mbahet prej 9 deri më 13 korrik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Orkestra e përbërë nga fëmijët dhe të rinjtë prej 10 deri në 17 vjeç, së bashku me dirigjentin e kësaj orkestre, Vehbi Shoshollin, pas muajsh të tërë përgatitjeje pritet të paraqitet tri herë gjatë ”Prague Festival 2026” që mbahet në kuadër të ”Musica Orbis Festivals” me një program muzikor rreth 25 minutash, më 9, 10 dhe 11 korrik.

Hana Petrovci, drejtoreshë e orkestrës së fëmijëve dhe të rinjve ”Amadeus”, ka thënë se ”Musica Orbis” do t’i mirëpresë në mesin e koreve dhe orkestrave pjesëmarrëse nga e gjithë bota.

”’Amadeus’ ka aplikuar të jetë pjesë e festivalit ’Musica Orbis’ që është një Festival i Koreve dhe i Orkestrave me karakter garues, për të përfaqësuar kështu Republikën e Kosovës dhe si rrjedhojë, gjatë periudhës nëntor – dhjetor 2025 është pranuar të jetë pjesë e festivalit që mbahet në Pragë”, ka thënë Petrovci. Prej atëherë, orkestra ka filluar përgatitjet e programit muzikor.

”Në kuadër të tij përfshihet edhe një vepër shqiptare e Lorenc Antonit, të cilën ’Amadeus’ do ta luajë gjatë prezantimit në festival. Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur financiarisht pjesëmarrjen e orkestrës ’Amadeus’ në Pragë”, ka thënë Petrovci.

”National House of Vinohrady” është skena ku do të ngjitet edhe ”Amadeusi” fillimisht në koncertin e hapjes, më pas në gala-koncert dhe për ta finalizuar në garën ndërkombëtare.

”Këto paraqitje janë rezultat i muajve të tërë të punës, disiplinës, përkushtimit dhe mbi të gjitha dashurisë për muzikën”, ka shkruar orkestra ”Amadeus” në profilin zyrtar në Facebook, kur kishte njoftuar për suksesin e radhës.

Pos koncerteve dhe garës, fëmijët pjesëmarrës do të mund të mbajnë edhe masterklasa me dirigjentë dhe anëtarët e jurisë që janë të njohur ndërkombëtarisht si: Jakub Martinec, Marc Ashley Foster, Tristan Meister, Elzbieta Êtorkoêska dhe David Slater. ”Amadeus” është orkestër e themeluar në vitin 2015, e udhëhequr nga dirigjenti Vehbi Shosholli.

Tashmë e njohur ndërkombëtarisht përmes paraqitjeve dhe garave të suksesshme në skenat ndërkombëtare, si në Vjenë ku mori ”Medaljen e argjendtë” në korrikun e vjetmë dhe në Spanjë, ku në mars të këtij viti u nderua me çmimin më të lartë, ”Grand Prix” dhe Vendin e Parë të Festivalit ”Spring Symphonies” në qytetin bregdetar Lloret de mar.

Vehbi Shosholli, dirigjent i ”Amadeusit” ka folur për programin me të cilin do të paraqiten. ”Është përafërsisht i njëjtë me atë që Orkestra është paraqitur në Spanjë gjatë muajit mars të këtij viti, por që këtu dallon minutazhi pasi që kusht për pjesëmarrje në ’Prague Festival’ ka qenë që programi të jetë më i gjatë, për dallim nga programi që kemi luajtur në Festivalin në Spanjë”, ka thënë Shosholli.

Përgatitjet e fundit të ”Amadeusit” kanë qenë me qëllime të dyfishta. ”Kanë qenë intensive dy javët e fundit, për pjesëmarrjen tonë në Çeki, por gjithashtu edhe për koncertin e orkestrës në kuadër të ’Rame Lahaj International Opera Festival’ që do të mbahet së shpejti, me datë 20 korrik në Prishtinë”, ka thënë Shosholli.

Programi paraqitës në ”Musica Orbis” do të jetë i larmishëm, duke përfshirë kështu kompozitorë dhe vepra ndërkombëtare, por po ashtu edhe kompozitor dhe vepër shqiptare. ”Do të ketë vepra nga Beethoven – uvertyra ’Egmont’, Haydn, Simfonia nr.45, Strauss – Polka ”Tritsch-Tratsch’, vepra shqiptare e Lorenc Antonit ’Malësorja’ e të tjera”, ka thënë Shosholli.

Pritshmëritë, sipas dirigjentit të orkestrës, gjithmonë janë të larta. ”Por normalisht ne asnjëherë nuk e dimë se çfarë konkurrence na pret dhe nuk jemi të njoftuar për konkurrencën që e kemi, por mbetet të shihet në vazhdim.

Për dallim prej Spanjës, pjesëmarrja në Çeki është dukshëm më e rëndësishme sepse cilësohet si një ’Vjenë e Vogël’ dhe ka prestigj e vlerë të madhe në botë si vend në muzikën klasike”, ka thënë Shosholli.

Sipas ueb-faqes së Festivalit, që prej vitit 2019 më shumë se 60 kore dhe 1800 muzikantë nga e gjithë Evropa dhe Amerika kanë mbushur me zërat dhe instrumentet sallat historike, duke përfshirë ”Sts. Simon” dhe ”Jude Church”, Muzeun Çek të Muzikës dhe madje gjithashtu “St. Vitus Cathedral”.

”Musica Orbis” përmban dy festivale: “Prague Festival” që është Festivali Ndërkombëtar i Koreve dhe Orkestrave në Pragë dhe “Gloria Festival” – Garë Ndërkombëtare e Koreve në Pragë. “Dy herë brenda vitit, festivalet ’Musica Orbis’ mirëpresin koret dhe orkestrat amatore nga e gjithë bota në qytetin magjepsës të Pragës.

Të njohura për atmosferën e tyre të ngrohtë dhe mikpritëse, qasjen personale ndaj pjesëmarrësve dhe organizimin e kujdesshëm deri në detaje, këto festivale ofrojnë një përvojë muzikore të paharrueshme për çdo pjesëmarrës”, shkruhet në thuhet në uebfaqen e ”Musica Orbis”.

Ende pa filluar edicionet e vitit 2026, festivali ka nisur përgatitjet dhe regjistrimet e koreve dhe orkestrave garuese për vitin që vjen.

Praga, si një nga kryeqytetet më të rëndësishme të muzikës klasike në Evropë, me sallat prestigjioze të koncerteve dhe kompozitorët e mëdhenj që kanë jetuar ose kanë interpretuar aty, e pasur ndër të tjera me lumin e saj të njohur Vltava, bukuria e të cilit pasqyrohet përmes tingujve edhe në poemën e njohur simfonike me të njëjtin emër të kompozitorit çek, Bedřich Smetana, do të jetë këto ditë pikëtakim i koreve dhe orkestrave botërore pjesëmarrëse në ”Musica Orbis Festival”.

Burimi: Koha