Kane apo Haaland? Si krahasohen dy sulmuesit më të frikshëm të botës

0%

Që nga vera e vitit 2021, kur transferimi i Harry Kane te Manchester City dështoi në momentet e fundit, karrierat e tij dhe të Erling Haaland janë krahasuar vazhdimisht.

Një vit më vonë, Haaland iu bashkua kampionëve të Anglisë dhe i udhëhoqi drejt fitimit të tripletës historike, ndërsa Kane mbeti kapiten i Tottenhamit, pa trofe dhe me ndjesinë se kishte humbur mundësinë më të madhe të karrierës. Sot, panorama ka ndryshuar plotësisht. Kane ka lënë pas etiketën e “lojtarit pa trofe”.

Pas transferimit te Bayern Munich në vitin 2023, ai ka fituar dy tituj të Bundesligës dhe dy herë është shpallur fitues i Këpucës së Artë Evropiane si golashënuesi më i mirë në kontinent. Tani të dy do të përballen të shtunën në çerekfinalen e Kupës së Botës, si liderët absolutë të Anglisë dhe Norvegjisë, në një duel që pritet të jetë vendimtar për një vend në gjysmëfinale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dy sulmuesit më të frikshëm të momentit Çdo krahasim mes Kane dhe Haaland nis nga statistika më e rëndësishme në futboll: golat. Harry Kane vazhdon të jetë figura kryesore e Anglisë që prej debutimit të tij me kombëtaren në vitin 2015. Me 85 gola të shënuar, ai mbetet lideri dhe kapiteni i skuadrës së Thomas Tuchel.

Në këtë Botëror ai ka realizuar gjashtë gola, duke qenë vendimtar në fazën me eliminim direkt. Dy golat ndaj RD Kongos dhe penalltia e kthyer në gol kundër Meksikës konfirmuan edhe një herë aftësinë e tij për të marrë përgjegjësi në momentet më të rëndësishme. Forma fantastike me Bayern Munich e ka ngritur Kane edhe në mesin e favoritëve për të fituar Topin e Artë.

Megjithatë, kjo çerekfinale i rikthen edhe kujtimin më të dhimbshëm të karrierës së tij me Anglinë: penalltinë e humbur ndaj Francës në Kupën e Botës në Katar. Tani ai ka mundësinë ta lërë pas atë kapitull. Haaland, një makinë golash Nga ana tjetër, Erling Haaland po zhvillon Botërorin e tij të parë dhe ka impresionuar menjëherë.

Sulmuesi norvegjez ka shënuar shtatë gola në turne, ndërsa në katër paraqitjet e tij ka realizuar golin vendimtar të ndeshjes. Ai mungoi vetëm në sfidën ndaj Francës në fazën e grupeve, pasi Norvegjia kishte siguruar kualifikimin. Në 1/8 e finales ndaj Brazilit, Haaland realizoi dy gola, duke fituar edhe duelin personal me Gabrielin e Arsenalit.

Statistikat e tij me kombëtaren janë të jashtëzakonshme. Ai ka shënuar në 14 ndeshje radhazi për Norvegjinë, me plot 27 gola gjatë kësaj serie. Në total, Haaland numëron 62 gola në vetëm 51 ndeshje me fanellën e Norvegjisë, me një mesatare mbresëlënëse prej një goli çdo 71 minuta – një ritëm që tejkalon edhe emra si Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Lionel Messi në nivel kombëtaresh.

Kush kontribon më shumë për skuadrën? Edhe pse të dy janë golashënues të jashtëzakonshëm, Harry Kane konsiderohet më i kompletuar në aspektin e lojës kolektive. Në këtë Botëror ai ka regjistruar edhe një asistim, duke shërbyer Jude Bellinghamin në sfidën ndaj Meksikës, ndërsa lëvizjet e tij drejt mesfushës ndihmojnë ndërtimin e aksioneve të Anglisë.

Megjithatë, ideja se Haaland është vetëm një “finisher” nuk qëndron plotësisht. Në tre sezonet e fundit me Manchester Cityn ai ka dhënë 24 asistime në Ligën Premier dhe garat evropiane, ndërsa Kane ka regjistruar 26 me Bayernin. Madje, gjatë sezonit 2024/25, norvegjezi krijoi më shumë raste për shokët sesa anglezi.

Edhe në këtë Kupë Bote, Haaland ka krijuar gjashtë raste për gol, krahasuar me katër të Kane, pavarësisht se ka luajtur afro 100 minuta më pak. Megjithatë, statistikat tregojnë se Kane përfshihet shumë më tepër në ndërtimin e lojës. Sezonin e kaluar ai preku topin pothuajse dyfish më shumë për ndeshje sesa Haaland, krijoi dy herë më shumë raste për gol dhe realizoi më shumë driblime.

Norvegjia varet shumë më tepër nga Haaland Një tjetër statistikë interesante tregon ndikimin e secilit te kombëtarja. Kur Kane shënon, Anglia fiton shumicën dërrmuese të ndeshjeve. Por edhe kur ai nuk realizon, “Tre Luanët” vazhdojnë të marrin rezultate pozitive falë cilësisë së lojtarëve të tjerë, si Jude Bellingham, i cili ka shënuar katër gola në këtë Botëror.

Situata është krejt ndryshe te Norvegjia. Kur Haaland nuk gjen rrugën e rrjetës, përqindja e fitoreve të norvegjezëve bie ndjeshëm. Në fakt, ata fitojnë më pak se një të tretën e ndeshjeve ku sulmuesi i Manchester Cityt nuk shënon. Mungesa e tij u ndje menjëherë edhe në këtë Botëror, pasi Norvegjia u mposht 4-1 nga Franca në ndeshjen e vetme ku ai nuk luajti.

Mesazhi është i qartë: ndal Haalandin dhe ndal Norvegjinë. Megjithatë, ta bësh këtë në fushë është shumë më e vështirë sesa ta thuash. Çfarë thonë ekspertët? Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, e përshkroi Haalandin si “një përbindësh absolut” pas fitores ndaj Brazilit. “Ai e bën gjithçka të duket e lehtë.

Është i qetë, bën punën e tij në fushë dhe po shijon çdo minutë të Kupës së Botës”, deklaroi Hart. Edhe Wayne Rooney beson se ndikimi i Haaland është vendimtar. “Ai i ka dhënë të gjithë Norvegjisë besimin se mund të shkojë shumë larg në këtë turne”, tha legjenda angleze. Nga ana tjetër, Rooney dhe Hart nuk kursyen lavdërimet edhe për Kane pas golit ndaj RD Kongos.

“Është një realizim i jashtëzakonshëm. Si çdo sulmues i madh, ai nuk ka nevojë as ta shohë portierin. Është instinkt i pastër”, u shpreh Rooney. Hart shtoi: “Ai i beson plotësisht teknikës së tij. Që në momentin kur topi u largua nga këmba, Kane e dinte se kishte shënuar”. Harry Kane dhe Erling Haaland janë përballur vetëm dy herë në karrierë, të dyja në fillim të vitit 2023.

Fillimisht, Haaland shënoi në fitoren 4-2 të Manchester Cityt ndaj Tottenhamit, ndërsa pak javë më vonë Kane u hakmor duke realizuar golin e vetëm në triumfin 1-0 të Spurs, ndeshje në të cilën u bë edhe golashënuesi më i mirë në historinë e klubit londinez. Tani rivaliteti mes tyre ngrihet në nivelin më të lartë.

Një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës është në lojë dhe vetëm njëri prej dy sulmuesve më të mirë të planetit do të vazhdojë rrugëtimin drejt trofeut.

Burimi: Telegrafi