Valët e mëdha të njëpasnjëshme të nxehtësisë që nga maji sugjerojnë se i nxehti ekstrem më nuk është ngjarje e izoluar, por tipar gjithnjë e më i zgjatur i verave europiane.
Qershori i këtij viti ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në Europën Perëndimore dhe i dyti më i ngrohti globalisht me 1.39 shkallë Celsius mbi mesataren e vlerësuar paraindustriale, kanë treguar të dhënat e shërbimeve të ndryshimeve klimatike të Bashkimit Europian, ka raportuar të enjten () Euronews .
Temperaturat rekord të tokës përkuan me temperaturat më të ngrohta të sipërfaqes së detit në qershor të regjistruara ndonjëherë, duke spikatur akumulimin e vazhdueshëm të nxehtësisë brenda sistemit klimatik të Tokës, tregojnë të dhënat nga Shërbimi i Ndryshimit Klimatik Koperniku i BE-së dhe Qendra Europiane për Parashikime Afatmesme të Motit (ECMWF) të publikuara të enjten.
“Së bashku, këto të dhëna pasqyrojnë një sistem klimatik që vazhdon të grumbullojë nxehtësi. Rezultati është valë nxehtësie gjithnjë e më intensive, një oqean vazhdimisht i ngrohtë dhe rreziqe në rritje për njerëzit, ekosistemet dhe infrastrukturën në krejt Europën dhe më gjerë”, ka theksuar Samantha Burgess, lidere strategjike për klimën në ECMWF.
Europa Perëndimore dhe Qendrore përjetuan një valë të nxehtë intensive në fundqershor që theu rekordet mujore dhe të të gjitha kohërave të temperaturës në disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Republikën Çeke.
Ngjarja pasoi një valë të nxehtë jashtëzakonisht të fortë në maj dhe u pasua nga një tjetër që nisi në fillimkorrik, duke ilustruar një model gjithnjë e më të vazhdueshëm të nxehtësisë ekstreme të verës. Vazhdimi i njëpasnjëshëm i valëve të mëdha të nxehtësisë sugjeron që nxehtësia ekstreme nuk është më ngjarje e izoluar, por tipar gjithnjë e më i zgjatur i verave europiane.
Ndikimet u shtrinë përtej temperaturave të larta me kushte të thata në pjesën më të madhe të Europës, veçanërisht në Gadishullin Iberik, Francën jugore dhe pjesë të Europës Lindore, duke rritur aktivitetin e zjarreve në pyje, ulur sasinë e rrjedhave të lumenjve dhe intensifikuan rrezikun e thatësirës, gjë që dëmton prodhimin e ushqimit.
Profesori Ottmar Edenhofer, kryetar i organit të pavarur këshillues për klimën në BE, ka theksuar se realizimi i objektivave klimatike të BE-së për vitet 2040 dhe 2050 me kosto efektive kërkon “reduktime domethënëse të emetimeve në mbarë ekonominë”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
