Me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, pishina e Gërmisë është mbyllur përkohësisht, në pritje të rezultateve të analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Vendimi u mor pas disa ankesave të qytetarëve, për të cilat i adresoi asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Enver Redenica.
Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing” i ka kundërshtuar këto pretendime. Përmes një njoftimi publik, ajo ka bërë të ditur se cilësia e ujit monitorohet rregullisht dhe se kryhen matjet e nevojshme, në përputhje me standardet dhe procedurat e mirëmbajtjes. Këtë e ka konfirmuar për RTK-në edhe drejtori i ndërmarrjes, Bardh Krasniqi.
Sipas tij, ndërmarrja është në pritje të rezultateve zyrtare të analizave, ndërsa pretendimet i cilëson si të motivuara politikisht dhe jo të bazuara në gjendjen reale të pishinës. Nga ndërmarrja thonë se prioritet mbetet siguria dhe shëndeti i qytetarëve, ndërsa njoftojnë se, pas përfundimit të analizave, publiku do të informohet për rihapjen e pishinës së Gërmisë.
