Në rajonin e Ferizajt, që përfshin komunën e Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës, dhjetëra familje vazhdojnë të jetojnë me një pyetje që prej më shumë se dy dekadash nuk ka marrë përgjigje: ku janë të afërmit e tyre të zhdukur?
Rreth 80 persona nga kjo zonë ende figurojnë në listat e të zhdukurve, por pas secilit prej këtyre numrave qëndron një histori njerëzore, një familje që pret një lajm, një fotografi të ruajtur me kujdes dhe një shpresë që ende nuk është shuar për të zbuluar fatin e më të dashurve të tyre.
Dokumentari i realizuar për rajonin e Ferizajt rikthen në kujtesë pasojat e luftës së Kosovës dhe rrëfen përvojat e familjeve që vazhdojnë të përballen me mungesën, dhimbjen dhe pasigurinë. Në këtë mund ta shikoni dokumentarin të plotë.
Përmes dëshmive të familjarëve dhe zërave të atyre që prej vitesh janë të angazhuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, dokumentari sjell në vëmendje historitë e njerëzve që ende kërkojnë drejtësi dhe përgjigje. Edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës, plagët e konfliktit vazhdojnë të ndihen.
Mijëra familjarë në Kosovë ende bartin pasojat e krimeve të luftës, duke jetuar me traumën e humbjes dhe me pasigurinë për fatin e të afërmve të tyre, një dhimbje që shpesh është përcjellë edhe te brezat e lindur pas përfundimit të luftës.
Pas luftës, në Kosovë janë zbuluar mbetje mortore të viktimave në më shumë se 2 mijë lokacione, ndërsa procesi i kërkimit, identifikimit dhe kthimit të mbetjeve te familjet vazhdon ende.
Pas shfaqjes së dokumentarit u mbajt një panel diskutimi ku u trajtuan sfidat e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, puna e institucioneve dhe nevoja për vazhdimin e përpjekjeve për drejtësi.
Në diskutim morën pjesë përfaqësues nga institucionet dhe organizatat që merren me këtë çështje: Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Salih Muhaxhiri nga Shoqata Familjare për Personat e Zhdukur dhe Viktimat Civile, si dhe Natasha Boziloviq nga Qendra për Personat e Zhdukur.
Përballë dhimbjes së familjeve që prej vitesh presin përgjigje, një nga sfidat më të mëdha mbetet zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe sigurimi i përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës. Përfaqësuesit institucionalë thonë se pavarësisht kalimit të kohës, procesi nuk ka përfunduar dhe kërkimi vazhdon.
Në panelin e diskutimit pas shfaqjes së dokumentarit, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, foli për ndryshimet institucionale dhe përpjekjet e bëra në vitet e fundit për t’i dhënë më shumë fokus çështjes së personave të pagjetur.
Sipas tij, një nga hapat e parë ka qenë krijimi i institucioneve dhe strukturave të posaçme që merren me hetimin e krimeve të luftës dhe me zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur.
“Prokuroria Speciale, hapi i parë që ka ndërmarrë në këtë drejtim është krijimi i institucioneve të rëndësishme të posaçme që merren me krimet e luftës në përgjithësi dhe me personat e pagjetur në veçanti” – tha Morina.
Ai rikujtoi se pas marrjes së mandatit nga misioni i EULEX, fokusi fillestar i institucioneve ka qenë kryesisht te rastet e vrasjeve, dëbimeve, djegieve dhe krimeve të tjera të kryera gjatë luftës. Megjithatë, sipas tij, çështja e personave të zhdukur ka marrë një vëmendje më të madhe institucionale në vitet e fundit, veçanërisht pas reformave të ndërmarra në vitin 2023.
“Vetëm në vitin 2023, Policia e Kosovës ka bërë një reformë dhe ka themeluar një departament të veçantë për krimet e luftës dhe në kuadër të saj ka krijuar një njësi të veçantë që merret me personat e pagjetur” – deklaroi ai.
Morina shpjegoi se deri para kësaj periudhe, edhe pse Prokuroria Speciale kishte pranuar raste të transferuara nga EULEX-i dhe institucionet ndërkombëtare, çështja e personave të pagjetur nuk kishte qenë në të njëjtin nivel fokusi sikurse rastet e tjera të krimeve të luftës.
“Deri në vitin 2023, Prokuroria Speciale, qoftë edhe transferimet që ka pranuar nga EULEX-i, nuk ka qenë shumë e fokusuar te personat e pagjetur. Prandaj, ne kemi pasur si qëllim krijimin e institucioneve që merren me këtë çështje” – tha Morina.
Ai bëri të ditur se puna e strukturave të reja ka sjellë rezultate konkrete, duke theksuar se nga viti 2023 deri në vitin 2025 janë evidentuar 48 gjetje trupore të personave të pagjetur. “Po flasim për tre vite dhe si rezultat i punës sonë kemi 48 gjetje trupore të personave të pagjetur, qoftë si trup në tërësi apo qoftë si pjesë eshtërore” – u shpreh ai.
Por për familjet që ende presin lajme për të afërmit e tyre, një nga pyetjet më të vështira mbetet nëse kalimi i kohës e bën më të vështirë gjetjen e tyre. Morina tha se koha paraqet sfidë, por nuk duhet të shihet si pengesë që ndalon procesin. “Nëse kalimi i kohës është sfidë, është sfidë, por nuk është pengesë.
Prandaj është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të punojmë në drejtim të gjetjes së personave të pagjetur” – tha ai. Sipas tij, çdo informacion mund të jetë i rëndësishëm për zbardhjen e këtyre rasteve. Ai theksoi se njësia e krijuar në kuadër të Policisë së Kosovës ka nisur mbledhjen dhe sistemimin e të dhënave nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
“Është çdo lloj informate, sepse njësia që u themelua nga Policia e Kosovës menjëherë ka kërkuar mbledhjen e informatave dhe dokumenteve të transferuara nga EULEX-i dhe UNMIK-u” – tha Morina.
Ai shtoi se bashkëpunimi me Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur është thelbësor, pasi ky institucion përbën një pikë të rëndësishme të grumbullimit dhe koordinimit të informatave për rastet e personave të zhdukur. “Është një lloj shtëpie e informacioneve për të gjithë personat e pagjetur. Prandaj edhe bashkëpunojmë shumë në identifikimin e rasteve të tilla” – tha Morina.
Morina u bëri thirrje qytetarëve që çdo informacion për lokacione të dyshimta nga koha e luftës ta raportojnë tek institucionet përkatëse, pasi edhe një e dhënë e vetme mund të jetë vendimtare për një familje që pret prej vitesh.
Pas përfaqësuesit të Prokurorisë Speciale, në diskutim mori pjesë edhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili e nisi fjalën e tij me një përkujtim për familjarët që ndër vite janë bërë zëri i atyre që ende kërkojnë përgjigje.
Gara veçoi veçanërisht figurën e Serdie Frangut, e njohur nga shumë familjarë dhe aktivistë të kësaj fushe si “Tezja Sevdë”, një nga personat që, sipas tij, ka lënë gjurmë të veçantë në procesin e kërkimit të personave të zhdukur.
Me respekt për familjarët e pranishëm në sallë, ai kujtoi sakrificën dhe angazhimin e saj shumëvjeçar, duke thënë se historia e saj lidhet ngushtë me historinë e shumë familjeve që për vite të tëra kanë jetuar mes dhimbjes dhe shpresës.
“Po e them, një nga aktivistet e jashtëzakonshme të këtij procesi, një familjare siç ka qenë zonja Sevdie Frangu, e njohur nga ne që jemi pjesë e procesit si Tezja Sevdë, e cila ishte nga familjarët që dha shumë për atdheun, për lirinë tonë. Tri humbje të mëdha” – tha Gara.
Ai tregoi se Frangu, ashtu si shumë familjarë të tjerë të personave të zhdukur, me kalimin e viteve ishte shndërruar në një pikë mbështetjeje për shumë familje që kërkonin forcë për të vazhduar përpara.
“Zonja Frangu, ashtu si shumë familjarë të tjerë, ishte shndërruar në një adresë për shumë familje ku ishte një shpresë për të mposhtur lotin, edhe në kuptim të organizimit brenda një shoqate që mbante pikërisht këtë emër ‘Loti dhe Shpresa’” – u shpreh ai.
Duke folur për situatën në rajonin e Ferizajt, Gara bëri të ditur se edhe sot në këtë zonë vazhdojnë të figurojnë më shumë se 77 persona të zhdukur, duke përfshirë komunat e Ferizajt, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Shtimes, Shtërpcës dhe zonave të tjera përreth. Sipas tij, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të tyre, janë adresuar më shumë se 108 lokacione për gërmime vlerësuese.
Megjithatë, Gara theksoi se çështja e personave të zhdukur nuk mund të matet vetëm me numra, pasi pas çdo statistike qëndron një familje që pret. “Edhe sikur vetëm një person të mbetet në listën e personave të zhdukur, për atë familje, për atë komunë, për atë lokalitet nuk mund të thuhet që është bërë mjaftueshëm” – deklaroi ai.
Sipas tij, edhe pse ky rajon në aspektin statistikor mund të ketë një numër më të vogël të personave të zhdukur krahasuar me zona të tjera, kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e rasteve që ende presin përgjigje.
“Ky regjion do të vazhdojë të jetë pjesë e agjendës në kuptim të adresimit dhe angazhimit me shumë prioritet për të gjitha rastet që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur” – tha Gara.
Ai shtoi se dhimbja e familjeve ndër vite është shndërruar nga një përjetim personal në një kauzë shoqërore dhe institucionale, ku përgjegjësia për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur është bërë çështje e të gjithëve.
“Pavarësisht faktit që ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me familjarët, në rastin e luftës së Kosovës kemi këtë lëvizjen e trajektores nga një dhimbje familjare si personale, tek një dhimbje ose kauzë shoqërore dhe mbarinstitucionale” – tha ai.
Gara theksoi se institucionet do të vazhdojnë punën për trajtimin e çdo informacioni që mund të ndihmojë në zbardhjen e rasteve të mbetura të pazgjidhura. “Do të vazhdojmë angazhimin edhe ditëve në vijim në kuptim të adresimit të çdo informate që do të mund ta ndihmonte ose të kontribuonte në zgjidhjen e cilitdo rast të personave të zhdukur” – përfundoi ai.
Në diskutimin pas shfaqjes së dokumentarit, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore foli për punën e gjatë të këtij institucioni në procesin e identifikimit të viktimave të luftës dhe sfidat që vazhdojnë ende, veçanërisht në raste specifike të rajonit të Ferizajt.
Haliti shpjegoi se Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucioni qendror në Kosovë për këtë fushë dhe se puna e tij lidhet drejtpërdrejt me kërkesat e organeve të drejtësisë.
“Instituti për Mjekësinë Ligjore është një institucion qendror, i vetmi në Republikën e Kosovës, i cili edhe pse gjendet nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë, i përgjigjet realisht organeve të drejtësisë, gjykatave dhe prokurorive” – tha Haliti.
Sipas tij, çdo aktivitet i Institutit zhvillohet mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga institucionet e drejtësisë, ndërsa procesi i identifikimit të personave të zhdukur është një punë e trashëguar ndër vite, në të cilën kanë qenë të përfshira edhe organizata ndërkombëtare.
Ai rikujtoi se menjëherë pas përfundimit të luftës, në Kosovë kishin filluar punën ekipet e ish-Tribunalit të Hagës, me qëllim dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
“Synimi apo qëllimi kryesor ishte dokumentimi i të gjithë atyre krimeve që ishin kryer gjatë luftës në Kosovë, në mënyrë që të grumbulloheshin prova të mjaftueshme që të ndiqeshin penalisht ata të cilët i kishin kryer këto krime” – tha Haliti.
Megjithatë, ai theksoi se në atë periudhë identifikimi i viktimave nuk kishte qenë prioriteti kryesor dhe se procesi ishte bërë kryesisht me metoda tradicionale. “Identifikimi në atë kohë nuk ishte primar për ta.
Ishte më shumë dokumentimi dhe, edhe pse u krye një punë e madhe nga ata, identifikimi u bë me metoda tradicionale, pa ADN, meqenëse edhe ADN-ja në atë kohë nuk ishte ende duke u zbatuar në Kosovë” – u shpreh ai.
Sipas tij, rreth 2 mijë viktima ishin identifikuar në atë kohë përmes mënyrave tradicionale, duke u bazuar në pamjen vizuale, veshmbathjen dhe sendet personale të gjetura me trupat. Procesi ndryshoi më vonë me përdorimin e metodës së ADN-së, e cila solli një qasje më shkencore në identifikimin e personave të zhdukur.
Haliti tregoi se nga viti 2003, pas themelimit të Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Forenzikë nga UNMIK-u, si dhe bashkëpunimit me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ADN-ja filloi të përdorej si metodë kryesore për identifikim.
“Që nga ajo kohë është kryer një punë e madhe dhe i njëjti intensitet ka vazhduar edhe gjatë kohës së EULEX-it, derisa autoritetet lokale ishin nën mbikëqyrjen e tyre” – tha ai.
Sipas Halitit, që nga viti 2018 autoritetet vendore kanë marrë kompetencat ekzekutive në këtë fushë dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore tash udhëheq procesin në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, Departamentin e Krimeve të Luftës, Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe partnerët ndërkombëtarë.
Por një nga sfidat më të mëdha për këtë rajon lidhet me fatin e personave që dyshohet se janë zhdukur përgjatë rrjedhës së lumit Lepenc. Haliti tha se gjatë viteve janë mbledhur informacione të shumta për këtë zonë, ndërsa hetimet janë fokusuar në mundësinë që trupat e viktimave të jenë larguar përmes lumit.
Sipas tij, gjatë luftës ka ekzistuar një model i përdorur nga autoritetet serbe për fshehjen e trupave të viktimave, duke i dërguar në lokacione të fshehta, gurore, gurthyes ose duke i hedhur në lumenj. “I njëjti skenar ka ndodhur edhe në këtë regjion, duke i hedhur trupat në lumin Lepenc, të cilët pastaj janë bartur në territorin e Maqedonisë së Veriut” – tha Haliti.
Ai tregoi se për këtë ekzistojnë edhe dëshmi nga persona që kanë parë trupat duke ‘lundruar’ përgjatë lumit dhe duke kaluar kufirin. “Kemi pasur dëshmitarë okularë të shumtë, të cilët kanë dokumentuar që kanë parë trupat të cilët kanë lundruar përgjatë Lepencit duke kaluar kufirin në Maqedoni” – deklaroi ai.
Përveç dëshmive të dëshmitarëve, sipas tij, institucionet kosovare kanë siguruar edhe dokumentacion nga autoritetet maqedonase, ku konfirmohet se disa trupa të paidentifikuar janë nxjerrë nga lumi dhe u janë kryer autopsi. “Kemi dëshmi që të paktën shtatë trupave u është kryer autopsia, të cilët janë tërhequr pa u identifikuar nga lumi” – tha Haliti.
Megjithatë, përkundër përpjekjeve shumëvjeçare, ende nuk është arritur të përcaktohet vendndodhja e saktë ku mund të jenë varrosur këta persona. Ai bëri të ditur se kohët e fundit është zhvilluar edhe një vizitë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Maqedoninë e Veriut, me qëllim të gjetjes së provave dhe të dhënave shtesë për këto raste.
“Për fat të keq, ende nuk kemi arritur te kjo informatë. Ekzistojnë hipoteza se mund të jenë të varrosur në varrezat e Butelit, mirëpo nuk ekziston një dëshmi e saktë se ku mund të jetë vendndodhja e tyre” – tha ai. Haliti theksoi se komunikimi me autoritetet maqedonase do të vazhdojë, pasi çështja lidhet drejtpërdrejt me familjet që ende presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.
Në panelin e diskutimit foli edhe Salih Muhaxhiri, kryetar i Shoqatës Familjare për Personat e Zhdukur dhe Viktimat Civile në Ferizaj, i cili përveç angazhimit të tij në shoqatë, është edhe vetë familjar i një personi të zhdukur. Për Muhaxhirin, kjo nuk është vetëm një çështje institucionale apo një detyrë e marrë përsipër ndër vite.
Është një plagë personale që e ka shoqëruar që nga përfundimi i luftës, kur ai vetë u përball me zhdukjen e bashkëshortes së tij. “Me këtë aktivitet kam filluar të merrem që nga mbarimi i luftës, pasi që isha vetë familjar dhe e kisha bashkëshorten të zhdukur” – tregoi Muhaxhiri.
Pas luftës, ai nisi të kërkonte përgjigje duke ndjekur çdo hap të procesit të kërkimit dhe identifikimit të viktimave. Ishte i pranishëm në hapjen e varrezave dhe në kërkimet që zhvilloheshin në territorin e Ferizajt dhe jashtë tij, me shpresën se një ditë do të gjente një përgjigje për fatin e të afërmes së tij.
“Kam filluar gjithmonë me hulumtu në çdo varrezë që u hap mbas luftës në territorin e komunës së Ferizajit edhe jashtë Ferizajit, kam qenë prezent” – tha ai. Angazhimin e tij institucional e vazhdoi përmes shoqatës, të cilën e regjistroi në vitin 2016, me qëllim që të ndihmonte edhe familjet e tjera që ndodheshin në të njëjtën pritje.
Megjithatë, sipas tij, një nga sfidat më të mëdha vazhdon të jetë mungesa e informatave të sakta dhe hezitimi i mundshëm i personave që mund të kenë të dhëna për lokacionet ku mund të gjenden mbetjet e personave të zhdukur.
Ai falënderoi institucionet dhe organizatat që kanë mbështetur punën e shoqatës, duke veçuar Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili ka ndihmuar në funksionalizimin e zyrës së shoqatës në Ferizaj.
Por, pas më shumë se dy dekadash pritjeje, Muhaxhiri thot se zhgënjimi tek familjarët është rritur dhe shumë prej tyre tashmë e kanë humbur forcën për të vazhduar të japin informacione apo të flasin për këtë çështje.
“Vështirësitë që po hasim ne më së shumti janë për shkak se familjarët dita-ditës po vijnë gjithmonë duke u zhgënjyer dhe nuk janë të interesuar më me dhënë as informacione as kurrgjë” – tha ai. Sipas tij, edhe pse në Kosovë janë bërë gjetje të reja mortore në vitet e fundit, për rajonin e Ferizajt ende nuk ka pasur rezultate që do t’u jepnin familjeve përgjigjen e shumëpritur.
“Kanë kaluar 27 vite dhe në komunën e Ferizajit, thuaj prej 16 viteve që jam unë me shoqatë, hala nuk e kemi një rast gati që është zbuluar prej këtyre të pagjeturve që i kemi” – u shpreh Muhaxhiri. Për të, dokumentarët dhe rrëfimet për personat e zhdukur janë të rëndësishme, por njëkohësisht të dhimbshme për familjet që rikthehen vazhdimisht te plagët e së kaluarës.
“Për neve familjarët këto dokumentare janë të vështira, janë të rënda, që 27 vite jemi duke jetuar në ankth” – u shpreh Muhaxhiri. Ai kritikoi mungesën e një përkrahjeje më të madhe institucionale në nivel njerëzor, duke thënë se familjet shpesh janë ndier të vetmuara në këtë proces.
“Përveç intervistave që vini ju ose gazetarë të tjerë, nuk ka qenë i interesuar dikush prej shtetit me ardhë edhe me na dhënë një përkrahje morale, me thënë ku jeni, çka keni bërë, si keni bërë. Kjo është zhgënjyese, shumë zhgënjyese” – përfundoi ai.
Ndërkaq Natasha Boziloviq nga Qendra për Personat e Zhdukur theksoi rëndësinë që kjo temë të vazhdojë të jetë pjesë e debatit publik, pasi çështja e personave të zhdukur mbetet një nga elementet kryesore të drejtësisë tranzicionale. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që për këtë temë të flitet çdo ditë.
Sado që të flasim për personat e zhdukur, si një nga komponentët më të rëndësishëm të drejtësisë tranzicionale, besoj se kurrë nuk mund të bëhemi të mërzitshëm dhe kurrë nuk mund të themi se kemi folur mjaftueshëm” – tha Boziloviq.
Përballë shqetësimeve të familjarëve për mungesën e përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës, përfaqësuesi i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, tha se hetimet për rastet e vrasjeve dhe personave të zhdukur vazhdojnë, duke u zhvilluar në disa drejtime.
Ai shpjegoi se fillimisht hetimet përqendrohen në identifikimin e autorëve të drejtpërdrejtë të krimeve, ndërsa kur kjo nuk është e mundur, institucionet kalojnë në hetimin e përgjegjësisë komanduese. “Ne hetimet i zhvillojmë në dy drejtime.
Në momentin e parë që krijohet dosja dhe raportohen rastet e vrasjeve, fokusohemi te hetimi i përgjegjësisë individuale, domethënë kush është kryesi i asaj vrasjeje” – tha Morina.
Sipas tij, në shumë raste identifikimi i autorëve të drejtpërdrejtë është i vështirë për shkak të rrethanave në të cilat janë kryer krimet, përfshirë faktin që autorët kanë qenë të maskuar ose kanë vepruar në kuadër të strukturave të organizuara.
“Në rast se vjen te momenti ku nuk mund të identifikohet kryesi dhe kjo ndodh shpesh për arsye të ndryshme, kanë qenë me maska, kanë qenë të Beogradit, kanë qenë të Kosovës e të tjera atëherë shkojmë me përgjegjësi komanduese” – u shpreh ai.
Morina theksoi se përgjegjësia komanduese është e njohur si formë e përgjegjësisë penale edhe në legjislacionin vendor dhe në bazë të saj mund të hetohen personat që kanë pasur pozita drejtuese në strukturat që kanë kryer krime.
Duke iu referuar shqetësimeve të familjarëve të personave të zhdukur dhe zhgënjimit të tyre pas 27 vitesh pritjeje, Morina tha se e kupton peshën e kësaj dhimbjeje, por kërkoi që bashkëpunimi me institucionet të vazhdojë.
Ai pranoi se koha e kaluar është një periudhë e gjatë dhe se familjet kanë arsye për të ndier zhgënjim, por sipas tij, rezultatet e viteve të fundit tregojnë se procesi ende mund të sjellë përgjigje.
Morina u bëri thirrje familjarëve që, pavarësisht zhgënjimeve të krijuara ndër vite, të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet, pasi sipas tij informacionet e tyre mbeten të rëndësishme për zbardhjen e rasteve.
“Me gjithë zhgënjimin e madh që e shprehët deri më tani, po flas vetëm për institucionin e Prokurorit të Shtetit, dua t’ju tregoj që të mos mungojë bashkëpunimi dhe të vazhdojmë të bashkëpunojmë siç kemi bashkëpunuar deri më tani” – tha Morina.
Ai përmendi edhe rezultatet konkrete të punës së viteve të fundit, duke theksuar se vetëm gjatë periudhës së fundit janë nxjerrë urdhëresa gjyqësore, janë kryer gërmime dhe janë verifikuar lokacione të dyshuara.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.
