Nga euforia historike te alarmi shëndetësor. Kombëtarja e Norvegjisë po përjeton ditët më të veçanta të historisë së saj në Kupën e Botës, por festa pas triumfit ndaj Brazilit është zbehur nga një shqetësim i papritur. Heroi i kualifikimit, Erling Haaland, me dy golat e tij i hapi Norvegjisë për herë të parë rrugën drejt çerekfinaleve të një Botërori.
Megjithatë, vetëm pak ditë para përballjes vendimtare me Anglinë, në kampin norvegjez është përhapur një valë simptomash respiratore që ka vënë në gatishmëri stafin mjekësor. Sipas raportimeve, disa futbollistë dhe anëtarë të stafit kanë shfaqur kollë, ngjirje zëri, lodhje dhe dobësi të përgjithshme.
Për arsye sigurie, një pjesë e grupit është izoluar, ndërsa mjekët po monitorojnë nga afër gjendjen e çdo lojtari. Edhe pse nuk raportohet për raste serioze, shqetësimi kryesor mbetet përhapja e mundshme e virusit në prag të ndeshjes më të rëndësishme në historinë e futbollit norvegjez. Natyrisht, vëmendja më e madhe është përqendruar te Erling Haaland.
Sulmuesi nuk paraqet probleme të veçanta shëndetësore, por po ndiqet me kujdes nga stafi mjekësor, pasi çdo mungesë ose edhe një formë jo optimale mund të ndryshojë ekuilibrat e sfidës ndaj Anglisë. Trajneri Ståle Solbakken ka tentuar të ulë tonet e alarmit.
Sipas tij, simptomat mund të jenë pasojë e udhëtimeve të shumta, ndryshimeve klimatike dhe përdorimit të vazhdueshëm të ajrit të kondicionuar gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa tifozët presin me emocion duelin e madh ndaj Anglisë, që do të luhet më 11 korrik, Norvegjia duhet të përballet fillimisht me një sfidë tjetër, atë ndaj një kundërshtari të padukshëm.
