E pritshme apo jo? Evropa dominon në Kupën e Botës

0%

Shpërndaje në: Historikisht përfaqësueset evropiane nuk paraqiten mirë në Kupat e Botës të mbajtura në kontinentetet e tjera. Vetëm dy herë që nga viti 1930, përfaqësueset evropiane kanë triumfuar në Botërorët e mbajtur në kontinente të tjera. Spanja fitoi në Afrikë të Jugut në vitin 2010, ndërsa Gjermania në Brazil katër vjet më pas.

Por në këtë listë mund të shtohet shumë lehtë një emër tjetër. Gjashtë prej tetë ekipeve çerekfinaliste në Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë janë nga Evropa: Belgjika, Anglia, Franca, Norvegjia, Spanja dhe Zvicra. Tetëshen e kompletojnë Argjentina dhe Maroku.

Është numri më i madh i përfaqësueseve evropiane që janë kualifikuar në çerekfinale të një Botërorit të mbajtur jashtë Evropës që nga viti 1994. Përfaqësueset evropiane zhvilluan Botëror të furishëm, ndonëse fillimin e kishin të zbehtë. Shtatë prej dhjetë përfaqësueseve të para evropiane nuk i fituan ndeshjet hapëse në grupe.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nxehtësia në Amerikën e Veriut ishte temë para Botërorit, me disa përfaqësuese që u vendosën në zona të nxehta për përshtatje më të mirë. Por nuk ishte arsyetim për fillimin e ngadaltë. Pas xhiros së parë përfaqësueset evropiane gjetën ritmin dhe deri në fund të fazës grupore i kishin 17 fitore, 12 barazime dhe shtatë humbje në përballje me ekipet jo-evropiane.

Në raundet me eliminim direkt, përfaqësueset evropiane lanë përshtypje edhe kur u përballën me vështirësi. U diskutua shumë për udhëtimin e vështirë të Anglisë në “Azteca” për t’u përballur me Meksikën në 1/8 e finales. Anglezët e përballuan lartësinë mbidetare dhe tifozërinë vendase.

“Ajo ndeshja ka treguar se kemi ekip të aftë për të fituar Botërorin”, ka thënë ish-kapiteni i Anglisë, Wayne Rooney. Franca u përball me lojën jo sportive dhe të ashpër të Paraguait. Belgjika i mbijetoi zhvillimeve jashtë fushës lidhur me sulmuesin amerikan Folarin Balogun dhe po ashtu avancoi.

Edhe është pritur që Evropa të ketë përfaqësim të madh në çerekfinale, marrë për bazë se në Botëror i kishte plot 16 përfaqësuese, si asnjë kontinent tjetër. Por është ende mbresëlënëse, shkruan BBC, që evropianët dominuan, ndërsa Brazili u eliminua, bashkë me tri vendet organizatore. Franca e nisi Botërorin si favorite dhe po e arsyeton këtë deri më tani.

Kylian Mbappe po shkëlqen dhe po i kalon me lehtësi barrierat. Edhe për Anglinë e Spanjën do të ishte befasi nëse nuk do të arrinin në këtë fazë. Por disa kanë tejkaluar pritjet. Norvegjia po e shfrytëzon maksimalisht kthimin në Kupën e Botës. E udhëhequr nga Erling Haaland, Norvegjia ka bërë shumë tifozë gjatë Botërorit.

Edhe Zvicra ka shkëlqyer dhe ka ruajtur qetësinë, duke arritur në çerekfinale pas një kohe shumë të gjatë. Tani janë ndeshjet më të forta dhe më të rëndësishme. Evropianët do të kërkojnë të vazhdojnë serinë dhe të dalin fitues si rrallë herë në një Botëror që mbahet në kontinent tjetër.

Burimi: Koha