Një sasi e konsiderueshme municioni është zbuluar në një stallë bagëtish në fshatin Bube të Zubin Potokut, ndërsa Policia ka nisur hetimet për identifikimin e pronarit, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është zbuluar pas një informacioni të siguruar nga Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSH) – Veri, e cila ka ndërhyrë në lokacion rreth orës të së hënës.
Gjatë kontrollit në stallën e bagëtive, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar 315 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 58 fishekë manovrues, si dhe një fishek të armës së gjatë, gjithsej 374 copë municion. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë relevante të Stacionit Policor në Zubin Potok, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe kanë sekuestruar të gjithë municionin.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se deri më tani nuk është identifikuar pronari i stallës, ndaj rasti është iniciuar ndaj personave të panjohur për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar se kujt i përkiste municioni dhe si kishte përfunduar në atë lokacion. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
