Altin Meçaj, banor i fshatit Vjosë në njësinë administrative Cakran, emigrant në Gjermani, ka dalë në një deklaratë për mediat përpara Prokurorisë në Fier, lidhur me ngjarjen e ndodhur rreth gjashtë muaj më parë, kur ai dhe babai i tij Ylli pretendojnë se u dhunuan në banesën e tyre nga disa persona, mes tyre një polic i operacipnales në DVP Fier.
Meçaj deklaroi se, sipas tij, Prokuroria ende nuk e ka thirrur për të dhënë dëshmitë dhe provat e reja që pretendon se disponon mbi çështjen. Ai shtoi gjithashtu se personi që, sipas tij, është i përfshirë në ngjarje, është rikthyer në radhët e Policisë së Shtetit. “Kam fakte të reja.
Nëse shteti nuk e zgjidh këtë çështje, atëherë do të detyrohem ta zgjidh vetë me metoda të tjera“ , u shpreh Meçaj para gazetarëve. Në deklaratën e tij ai bëri edhe një krahasim me ngjarje të rënda të së kaluarës, duke përmendur rastin e ndodhur në Libofsh në vitin ‘92.
Sipas tij, mosveprimi i institucioneve mund të sjellë pasoja të rënda, ndaj u bëri thirrje organeve të drejtësisë të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të zbardhin ngjarjen. Deri në këtë moment nuk ka një reagim zyrtar nga Prokuroria apo Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura nga Altin Meçaj.
I pyetur kryeprokurori i Fierit Helion Mustafaj ka pohuar se çështja është nën hetim dhe po shikohet me përparësi.
