Ryshfet, dhunë e korrupsion: Nëntë policë të arrestuar brenda gjashtë

0%

Ryshfet, keqpërdorim i detyrës, dhunë në familje, ngacmim, armë e bixhoz, janë disa nga veprat penale që çuan policët para hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Në këtë gjashtëmujor, nëntë zyrtarë policorë përfunduan të arrestuar, ndërsa mbi 100 punonjës të Policisë së Kosovës janë nën hetime nga IPK.

Të dhënat përfshihen në raportin gjashtëmujor të IPK-së, të siguruar nga KALLXO.com, i cili tregon se korrupsioni, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, dhuna, ngacmimi dhe vepra të tjera penale vazhdojnë të jenë pjesë e rasteve që po hetohen brenda Policisë së Kosovës. Sipas raportit, gjatë periudhës 1 janar- , IPK ka zhvilluar hetime ndaj 117 personave.

Prej tyre, 112 janë punonjës të Policisë së Kosovës, ndërsa pesë janë qytetarë. Në mesin e punonjësve policorë që po hetohen janë 99 zyrtarë policorë, pesë rreshterë, dy togerë dhe gjashtë pjesëtarë të stafit civil. Gjatë kësaj periudhe, Drejtoria e Hetimeve e IPK-së ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit 40 kallëzime penale, 21 raporte të veçanta dhe 32 raporte informuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Po ashtu, 161 raste janë proceduar në Drejtorinë për Hetime të Brendshme të Policisë së Kosovës, pasi në hetimet paraprake nuk janë konstatuar elemente të veprës penale ose nuk ka pasur dyshim të arsyeshëm për procedim penal. Sipas raportit, 13 raste janë mbyllur në arkivin e IPK-së pas përfundimit të hetimeve paraprake.

Nga 50 rastet penale të regjistruara gjatë kësaj periudhe, 39 janë proceduar në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë, ndërsa 11 në Departamentin për Krime të Rënda. Statistikat tregojnë se vepra penale më e shpeshtë ka qenë “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, me 19 raste.

Pas saj renditet “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me 11 raste, “Sulmi”, me gjashtë raste, “Rrezikimi i trafikut publik”, me pesë raste, si dhe “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Ngacmimi”, me nga katër raste secila. Arrestime, suspendime dhe aksione Përtej statistikave, gjashtëmujori u shënua edhe me një sërë arrestimesh dhe suspendimesh të zyrtarëve policorë.

Rasti më i fundit u bë publik më 16 qershor, kur IPK rekomandoi suspendimin e tre zyrtarëve të Stacionit Policor “Alfa” në Prizren. Ata dyshohet se, pasi kishin ndaluar automjete të paregjistruara dhe motoçikleta që qarkullonin në kundërshtim me ligjin, nuk i vazhduan procedurat ligjore dhe i lanë kundërvajtësit të largoheshin.

Hetimet po zhvillohen nën dyshimin për veprën penale “Marrje e ryshfetit”. Një nga operacionet më të mëdha u zhvillua më 7 maj, kur Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me IPK-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, realizoi bastisje në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Aksioni kishte në shënjestër 4 zyrtarë dhe qytetarë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, mashtrim, falsifikim dokumentesh pronësore dhe vepra të tjera penale që lidhen me përfitime të kundërligjshme. Pas intervistimit, tre zyrtarë policorë u arrestuan dhe u dërguan në ndalim 48-orësh, ndërsa ndaj një zyrtari tjetër procedura vazhdoi në gjendje të lirë.

Më 27 prill, IPK rekomandoi suspendimin e dy zyrtarëve të Stacionit Policor “Veriu” në Prishtinë, të cilët dyshohet se, jashtë detyrës zyrtare, përdorën armën zyrtare gjatë një incidenti me të shtëna në fshatin Mramor.

E pak ditë më parë, më 23 prill, u suspendua edhe një zyrtar i Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, i cili po hetohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”.

Më 16 prill, IPK arrestoi në flagrancë një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Shtërpcë, i cili dyshohet se kishte pranuar 2 mijë euro në kuadër të një hetimi për “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Po atë ditë, IPK rekomandoi suspendimin edhe të një rreshteri në Gjilan, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe të një togeri në Prishtinë, i cili dyshohet se kishte incizuar pa autorizim hetuesit gjatë intervistimit në ambientet e IPK-së. Më 11 prill u arrestua një tjetër zyrtar policor, i dyshuar për “Ngacmim”, pas një denoncimi të bërë nga një viktimë.

Më 6 prill, një polic në Pejë u arrestua nën dyshimin për “Dhunë në familje”, ndërsa më 1 prill një tjetër zyrtar policor u arrestua në Prishtinë nën dyshimin për “Lëndim të rëndë trupor”, pas një përleshjeje fizike jashtë detyrës zyrtare.

Raporti gjashtëmujor i IPK-së tregon se krahas hetimeve për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, një numër i konsiderueshëm rastesh lidhen me korrupsionin, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe vepra të tjera penale, ndërsa arrestimet dhe suspendimet kanë përfshirë zyrtarë policorë nga disa rajone të Kosovës.

Burimi: Kallxo