Sallat e Karlovy Varyt, të vogla për “Shame and Money”, Visar Morinës

0%

Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Festivali i Filmit në Karlovy Vary në rastin e Visar Morinës është një histori që i përsëritet. Më 2015, me filmin “Babai” ateroi në këtë ngjarje madhore nga Munihu, njësoj sikurse tash me filmin “Shame and Money”.

“Në shfaqjet e filmit ‘Shame and Money’ në sallë nuk ka pasur mjaftueshëm vende, kështu që shumë prej atyre që kanë ardhur ta shohin kanë mbetur jashtë”, ka thënë Morina kur e ka përshkruar atmosferën pas dy shfaqjeve në qytetin çek Pas më shumë se një dekade, regjisorit Visar Morina i është përsëritur historia me filmin “Babai”.

Me “Shame and Money” nën regji e me skenar të tij, po merr pjesë në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary, menjëherë pas suksesit në Munih. Morina ka thënë se në të dyja shfaqjet e deritanishme, të dielën dhe të hënën, hapësira e sallës ka qenë e pamjaftueshme për publikun e interesuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Edhe kur e kam shfaqur filmin e parë ‘Babai’ kisha shkuar në Karlovy Vary nga Munihu, ka qenë rrugëtimi i njëjtë. Ka qenë goxha emocional dhe kam ardhur me shumë qejf, edhe pse nuk i kam pasur punët të vij, pasi fillojmë të tjera xhirime.

Pasi fituam në Munih në një garë shumë të rëndësishme, por edhe një garë të cilën e kanë fituar njerëz shumë të rëndësishëm, kështu që nuk e kam pritur aspak. Isha pak në emocione, por edhe në shumë qejf”, ka thënë regjisori Morina në një përgjigje për KOHËN.

Pak ditë pasi u kurorëzua me çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Munih në edicionin e 43-të të të cilit mori “CineMasters Award”, rrugëtimi ndërkombëtar i filmit “Shame and Money” po vazhdon në një adresë tjetër prej atyre më të rëndësishme të kinematografisë evropiane.

Filmi për të cilin Morina ka shkruar edhe skenarin bashkë me Doruntina Bashën është shfaqur në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary, duke dëshmuar se rrëfimi që buron nga Kosova po bën jehonë gjithnjë e më të shumë në skenën ndërkombëtare të kinematografisë.

Për një film që sapo ka nisur jetën e tij të festivaleve, prania në Karlovy Vary është një tjetër vulë prestigji. Edhe pse nuk është në garë, “Shame…” është përzgjedhur në programin “Horizons”, seksion që mbledh disa prej filmave më të spikatur të vitit nga festivalet më të rëndësishme botërore.

Në këtë program sivjet janë përfshirë edhe vepra si “Fjord”, fitues i “Palmës së Artë”, si dhe filmat më të rinj të regjisorëve fitues të çmimit “Oscar”, duke e vendosur filmin e Morinës në shoqëri të veçantë artistike.

Derisa ka përshkruar atmosferën nga Karlovy Vary, regjisori Morina ka thënë se shfaqjet e filmave në përgjithësi, e edhe ato të shfaqjes së filmit nën regji të tij, janë karakterizuar me sallën plot e njerëz që kanë mbetur jashtë saj. “Pasi e kemi pasur filmin në Sundance, Karlovy Vary pranon vetëm filma që janë premierë në këtë festival.

Është shumë bukur, sepse vijnë shumë të rinj që flenë aty në tenda. Të gjitha sallat e kinemave janë plot. Është shumë lezet. Në shfaqjet e filmit ‘Shame and Money’ në sallë nuk ka pasur mjaftueshëm vende, kështu që shumë prej atyre që kanë ardhur ta shohin kanë mbetur jashtë. Ka pasur rende.

Kjo është diçka që ndodh në Karlovy Vary sepse ka jashtëzakonisht shumë shikues”, ka bërë me dije Morina në një përgjigje nga qyteti çek pranë kryeqytetit, Pragës. Regjisori Visar Morina ka treguar se pas shfaqjes së filmit ka pasur sesion me pyetje e përgjigje. “Isha në dy shfaqjet.

Për Bill Clintonin më pyesin gjithmonë, sepse është një skenë në film, gjithashtu pyesin dhe janë shumë të interesuar për aktorët. Pritet aktrimi shumë mirë në çdo vend”, ka treguar ai. Pyetja për ish-presidentin amerikan, ka të bëjë me shtatoren e tij në Prishtinë. Por Morina në sesion ka folur më shumë për temën e filmit.

“Doja të shqyrtoja temën e dhunës, sepse shumë gjëra në shoqërinë tonë funksionojnë vetëm sepse jemi të kërcënuar me pasoja nëse nuk arrijmë të bëjmë diçka ose e bëjmë në mënyrën e gabuar. Unë besoj në ligjet e fizikës: kur ushtroni presion ose dhunë ndaj njerëzve, gjithmonë ka një reagim.

Njerëzit mund të durojnë vetëm një sasi të caktuar padrejtësie”, ka thënë regjisori, transmeton Festivali në një shkrim për takimin e regjisorit me publikun. Po aty, ai ka shpjeguar pse kishte vendosur të tregonte historinë e një burri nga fshati i cili nuk është në gjendje të krijojë një jetë në qytet.

“Jetojmë në një kohë të çuditshme që na tregon se nëse dështojmë në diçka, kemi dështuar plotësisht si qenie njerëzore dhe asgjë nuk mund të na shpëtojë”, citohet Morina më tej. Kategoria “Horizons” ku shfaqet filmit i tij – një prej kategorive më të njohura të festivalit – sjell 55 filma të rinj nga sezoni aktual i festivaleve.

Edicioni i 60-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary po zhvillohet prej 3 deri më 11 korrik në qytetin çek me të njëjtin emër.

I themeluar në vitin 1946, festivali konsiderohet njëri ndër më të vjetrit dhe më prestigjiozët në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërsa është festivali i vetëm në këtë rajon me statusin prestigjioz të kategorisë “A”, të akredituar nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Prodhuesve të Filmit.

Çdo vit ai mbledh emrat më të njohur të kinemasë botërore, producentë, distributorë, kritikë e profesionistë të industrisë, duke u shndërruar në një nga platformat më të rëndësishme për promovimin e filmave autorialë. Pas dy shfaqjeve, “Shame and Money” do ta ndezë projektorin edhe premten mbrëma.

Bashkëproducenti i filmit, Eshref Durmishi, e ka cilësuar vetë praninë në Karlovy Vary si arritje me peshë për gjithë ekipin. “Veç pjesëmarrja, veç të jesh në programin e Karlovy Vary është me rëndësi, sepse dihet reputacioni i këtij festivali ku marrin pjesë filmat, thuaja më të mirët e Evropës e regjisorët më të mirë.

Të jetë filmi ‘Shame and Money’ pjesëmarrës aty është nder dhe kënaqësi për ne, shpërblim për punën dhe mundin që e ka bërë gjithë ekipi i filmit. Siç e dimë, po shkon në disa festivale dhe paraprakisht sapo mori çmimin në Munih, kështu që vërtet ka nisur rrugëtim të mirë.

Do të jetë edhe në festivale të tjera në ardhje në kohë të shkurtër, por që nuk mund t’i bëjmë ende publike pa i bërë vetë festivalet. Por do të ketë festivale të mrekullueshme”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN. Sipas Durmishit, një prej arsyeve pse filmi po komunikon natyrshëm me publikun ndërkombëtar lidhet pikërisht me universalitetin e temës që trajton.

“Vetë tematika tregon se secili njeri, secila familje mund të jetë në petkun e familjes së Shabanit, kështu që audienca e bën lidhjen e madhe me personazhet. Secili po mundet ta gjejë veten në një mënyrë ose tjetrën brenda personazheve që janë në filmin ‘Shame and Money’, për atë arsye komunikimi me audiencën ndërkombëtare po është shumë më i lehtë”, ka konsideruar ai.

Rrugëtimi i “Shame and Money” po ndërtohet hap pas hapi mbi një seri suksesesh. Pas premierës botërore në fillim të vitit në Sundance Film Festival dhe çmimit kryesor në Munih, përzgjedhja në Karlovy Vary e konfirmon filmin si një prej veprave evropiane që po tërheq vëmendjen e kinematografisë ndërkombëtare.

Organizatorët tashmë kanë paralajmëruar se filmi do të jetë pjesë edhe e festivaleve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, emrat e të cilëve do të bëhen publikë në javët në vazhdim. Ndërkohë, publiku në Kosovë nuk do të duhet të presë gjatë për ta parë në ekranin e madh.

Pas premierës kombëtare në një nga festivalet vendore të filmit, “Shame and Money” pritet të nisë shfaqjet në kinematë e Kosovës gjatë muajit shtator. Emri i Visar Morinës është i njohur në Karlovy Vary tash e më shumë se një dekadë, kur më 2015, me “Babai” mori edhe çmimin për regjinë më të mirë.

Sikurse në atë film, edhe në “Shame…” rolin kryesor ia ka besuar Astrit Kabashit, loja e të cilit ishte vlerësuar lart qysh me premierën botërore në janarin e sivjetmë në Sundance Film Festival. Aty triumfoi duke marrë Çmimin e Madh të Jurisë, e me këtë u rikonfirmua suksesi i kinematografisë së Kosovës në ngjarjen madhore të filmit.

Bashkëprodhimi me Gjermaninë, Slloveninë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Belgjikën, ishte çmuar për fuqinë e rrëfimin dhe regjinë mjeshtërore. Regjisori Morina kishte qenë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për një film që e ka zanafillën në një histori nga Kosova, çdo ndalesë e re në festivalet më prestigjioze të Evropës është sukses, qoftë edhe vetëm me shfaqje të filmit.

Burimi: Koha