Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se faza vendimtare e luftës së Rusisë kundër Ukrainës është zhvendosur nga toka dhe deti në ajër, duke argumentuar se “beteja në qiell” do të përcaktojë rezultatin e konfliktit.
Në një intervistë me Financial Times të hënën, disa orë pas një sulmi masiv rus ndaj Kievit, presidenti ukrainas tha se vendi i tij ka arritur tashmë që të pengojë fitoren e Rusisë dhe e ka shtyrë flotën e saj nga pjesa më e madhe e Detit të Zi Perëndmor, dhe duke e lënë hapësirën ajrore si teatër përcaktues. “Sot besoj se fitorja në këtë luftë i përket kujtdo që është më i zgjuar.
Nëse e ndal armikun në fushën e betejës, nëse e ndal luftën në tokë dhe nëse i mohon atij dominimin në det – siç bëmë me dronët tanë detarë, duke larguar flotën ruse – atëherë fusha e ardhshme e betejës bëhet qielli. Dhe sinqerisht, në atë garë ka shumë më pak rëndësi se territori i kujt është më i madh. Ne kemi lëvizur në fushën ajrore. Dhe në ajër, ne jemi tashmë konkurrues.”, tha ai.
Zelensky tha se Presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte thënë në një telefonatë të shtunën se Ukraina “po ecën shumë mirë” me fushatën e saj të dronëve me rreze të gjatë veprimi. I pyetur nëse kjo ishte e mjaftueshme për ta sjellë Trumpin në anën e Ukrainës, Zelensky tha se mendonte se udhëheqësi amerikan po e shihte luftën në një dritë të re.
“Presidenti Trump dëshiron të jetë aty ku ka sukses. Kjo lidhet me shumë gjëra – jo vetëm me personalitetin e tij, por edhe me zgjedhjet që po afrohen, me statusin e tij, me besimin e tij se si mund të përfundojë kjo luftë.”, tha ai. Zelensky tha se dobësia kritike e Ukrainës që mund të përcaktojë rezultatin e luftështë mbrojtja ajrore. “Mbetet vetëm një e panjohur.
Për fat të keq, është mbrojtja antibalistike. Kjo është dobësia kryesore [për Ukrainën] në këtë ekuacion”, tha ai. Zelensky tha se sulmet ajrore nga të dyja palët ishin provë se “lufta po ndryshon” dhe kishte hyrë në një “fazë të re” pas më shumë se katër vitesh rraskapitjeje të rëndë, me vijën e frontit që lëvizte vetëm pak pavarësisht luftimeve të ashpra që vazhdonin.
“Ushtarët tanë, nëpërmjet sakrificës së tyre, e ndaluan Rusinë në tokë. Kur fronti është kryesisht statik dhe armiku nuk mund të veprojë lirshëm në det, ajo që mbetet është ajri.”
