Sakrilegji i pyetjeve historike

0%

Nga: Veton Surroi Shpërndaje në: Në leximin determinist demonstratat e vitit 1981 e çuan Kosovën drejt çlirimit dhe pavarësisë. A është i mundur një lexim më i thelluar? 1. Pakkush ka dëgjuar për Dobrivoje Bobi Radosavleviqin. Kisha dëgjuar të përmendej para ndonja 40 vjetësh dhe pastaj kisha lexuar në disa prej gazetave shoviniste të Beogradit për të si “tradhtar”.

Në arkivat e KQ të LK të Serbisë të hapura për historianët, doli se Bobi Radosavleviq si kryetar i KQ të LK të Serbisë pas rënies së Aleksandër Rankoviqit në njërën prej mbledhjeve të udhëheqjes së komunistëve të Serbisë më 1967 kishte diskutuar në favor të krijimit të republikës së shtatë të Jugosllavisë, asaj të Kosovës.

Pastaj, siç më shpjegoi historiani dr.Milivoj Beshlin në podcastin “PIKË” javën e kaluar, udhëheqja reformiste e Serbisë me në krye Marko Nikeziqin dhe Latinka Peroviqin kishin shkuar te Tito me idenë që në reformimin e përgjithshëm të Jugosllavisë Kosova mund të bëhej republikë brenda Federatës së re.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në aktivin politik të Gjakovës, e pastaj edhe në qytete të tjera të Kosovës, përgjatë diskutimeve për ndryshime kushtetuese, u shtrua edhe kërkesa që Kosova të avancohej në status të republikës. Në krye të Komisionit ishte Fadil Hoxha, si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në vitet e tetëdhjetë të shekullit të kaluar kjo tingëllonte jashtë imagjinatës.

Pas demonstratave të vitit 1981 ideja për Kosovën si republikë të shtatë të Jugosllavisë u kriminalizua; u ndoqën me dënime drakonike burgu kushdo që konsiderohej organizator i demonstratave, përkrahës i tyre apo i parullës “Kosova-Republikë”. Ky represion do të përshkallëzohet deri në përndjekje kolektive të shqiptarëve.

Brenda 13 vjetëve një çështje që ishte pjesë e një debati legjitim politik u shndërrua në vepër kriminale. Kjo përbën një mister. Pse? 2. Ka shumë përgjigje për këtë dhe unë mendoj se më ravijëzohen disa, megjithatë ende nuk i kam. Por për të marrë përgjigje për këtë si edhe për çdo temë tjetër do informata, përsiatje, debat, vlerësim. Do edhe pyetje të vazhdueshme.

Në podcastin “PIKË” vjet pyeta ndaras Faton Topallin, anëtar i organizatës që mori përgjegjësinë për demonstratat e vitit 1981 dhe Azem Vllasin, udhëheqësin e Lidhjes socialiste që ishte ndër ata që duhej të pengonin zhvillimin e mëtejmë të tyre, se çfarë ishte shkasi politik për to?

Demonstratat janë formë presioni për një çështje, e në këtë rast, duke krijuar analogjinë e vitit 1968 duhej të shërbenin si formë presioni popullor për të avancuar procedurën institucionale e saj. Por, më 1981 nuk kishte debat kushtetues, nuk kishte ndryshime kushtetuese. Pse atëherë në atë moment të organizohen demonstratat?

Kjo është pyetje për hulumtuesit, historianët, madje edhe për vetë pjesëmarrësit e ngjarjeve të vitit 1981, shumë prej të cilëve e kanë të vështirë të identifikojnë organizatorët e demonstratave. Por, në vend të më shumë informatave dhe rrjedhimisht më shumë pyetjeve, një pjesë e hapësirës sonë publike është e dominuar nga bllokimi me shurdhues.

Në bashkëbisedimin me historianin Milivoj Beshlin në “PIKË” konstatimi se nuk kishte shkas evident për demonstratat e vitit 1981 u shndërrua në konstatim të rrjeteve sociale “Surroi mendon se nuk kishte arsye për organizimin e demonstratave të vitit 1981”. Dhe, pas tij, me gjuhë shurdhuese dhe sulmuese ndaj personit , është krejtësisht jorelevante çka u tha.

Madje edhe për më keq, me të njëjtën gjuhë, formulohet qëndrimi se nuk është i pranueshme fare trajtimi i kësaj teme. Siç do të shpjegojë dr.Sadri Ramabaja, viti 1981 ishte “REVOLUCIONI ANTIKOLONIAL QË VETON SURROI ENDE NUK E KUPTON”.

Siç shprehet z.Ramabaja, këto demonstrata “prodhuan dhe promovuan parullën bosht “Kosova Republikë”, e cila gradualisht u shndërrua në një ide politike mobilizuese dhe, më pas, në platformën kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë”.

Dhe, kështu, siç e vendos në kornizat ideologjike: “Kjo është arsyeja pse, edhe pas më shumë se katër dekadash, debati për vitin 1981 mbetet në thelb një debat për legjitimitetin e projektit politik që çoi drejt çlirimit të Kosovës”. Këtu, paskëtaj, bëhet fjalë për të pranuar të vërtetat definitive ideologjike.

Pra, çdokush që shtron një pyetje teknike: “cili ishte shkasi politik për demonstratat”, “si parashihej realizimi i objektivit”, e të ngjashme, “vë në pyetje legjitimitetin e projektit politik që çoi drejt çlirimit të Kosovës”. Ky është “REVOLUCIONI ANTIKOLONIAL QË TË GJITHË DUHET TA KUPTOJNË”. 3.

Në këtë interpretim, ekziston një vijë e pandërprerë mes demonstratave të vitit 1981 dhe çlirimin e Kosovës. Ky është një lexim determinist i historisë: duke ditur rezultatin e vitit 1999, ndërton një vijë të drejtë shkakësore drejt tij. Në të demonstratat e vitit 1981 dhe brohoritja e parullave që dikur kishin qenë objekt debati kushtetues çuan në vijë të drejtë te çlirimi i vendit.

Në vend të kësaj qasje e cila e bën historiografinë më të thjeshtësuar por jo edhe më afër vlerës kritike, e si ilustrim se si mund të bëhet një qasje më e strukturuar kuptimit të së kaluarës, ofrova në rrjete sociale disa nga pikat që mund të jenë ndihmesë sqarimi, pa kërkuar që z.Ramabaja apo dikush tjetër të detyrohet t’i kuptojë: • Rezoluta e Bujanit (), me të cilën shprehet aspirata e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë, është dokumenti i parë themelor politik antikolonial i Kosovës.

Për më tepër, Rezoluta është e vendosur në një lëvizje të madhe historike globale — luftën antifashiste dhe parimin e vetëvendosjes që u afirmua në atë periudhë. Por fakti që kërkesa ishte antikoloniale dhe e mbështetur në drejtësi e parime universale nuk e bëri atë të zbatueshme.

Partizanët kosovarë që e hartuan dhe miratuan nuk kishin raportin politik dhe ushtarak të forcave që do ta shndërronte këtë vullnet politik në vendim shtetëror. • Të gjitha veprimet prej vitit 1945 e deri në çlirimin e Kosovës më 1999 ishin, në një mënyrë apo tjetër, “plani B”: zëvendësim i pamundësisë për të zbatuar Rezolutën e Bujanit.

Kushtet e zhvillimit të këtij “plani B” ishin në disfavor të thellë për popullin shqiptar në Kosovë dhe udhëheqësinë e saj — prej administrimit ushtarak më 1945 deri te administrimi policor-ushtarak më 1989–1999. • Rënia e Rankoviqit dhe forcimi i udhëheqësisë shqiptare në Kosovë (1966–1981) e shndërruan “planin B” në projekt shtetësie të Kosovës brenda Jugosllavisë.

Fuqia e asaj shtetësie u ndërtua përmes procesit negociator, brenda kufizimeve të atëhershme të artikulimit politik, nga viti 1966 deri më 1974.

Kompetencat shtetërore u përcaktuan me amendamentet kushtetuese të vitit 1968 dhe me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974 (e cila më vonë do të kishte rëndësi edhe në argumentimin juridik që çoi te mendimi këshillëdhënës i GJND-së më që i dha të drejtë shpalljes së pavarësisë së Kosovës). • Në debatin politik të vitit 1968 (brenda kufizimeve të sistemit socialist) u artikulua kërkesa që Kosova të bëhej republikë brenda RSFJ-së.

Ky artikulim fillimisht u bë në salla zyrtare konferencash. Më vonë do të artikulohej edhe si parullë proteste në demonstratat e nëntorit.

Kërkesa për republikë ishte trajtuar si çështje legjitime edhe brenda udhëheqjes së komunistëve të Serbisë në periudhën 1966–1968. • Kërkesa për Republikë nuk u pranua nga Tito, duke reflektuar raportin e forcave politike (në analogji me vitin 1945, por tashmë në kushte dukshëm më të mira për Kosovën dhe popullin e saj). • Në vitin 1981 nuk kishte proces të ndryshimeve kushtetuese.

Republika që kërkonte ndryshime kushtetuese që nga viti 1977 ishte Serbia, përmes të ashtuquajturit Libër i kaltër, në të cilin kontestohej shtetësia e arritur e Kosovës. • Demonstratat e vitit 1981 nxorën në shesh kërkesën që ishte trajtuar si legjitime më 1966–1968.

Kësaj radhe ajo kërkesë u kriminalizua dhe filloi një fushatë represioni, fillimisht kundër “grupeve ilegale”, e cila më pas u përshkallëzua në përndjekje kolektive kundër popullit shqiptar në Kosovë. • Në valën e kësaj përndjekjeje kolektive Serbia zbatoi kërkesën e saj për ndryshime kushtetuese dhe, duke rrethuar Kuvendin e Kosovës me autoblinda e kërcënime fizike, imponoi atë që kishte paralajmëruar me Librin e kaltër — madje shumë më tepër. • Minatorët e Trepçës dhe pastaj qindra mijëra qytetarë të Kosovës u ngritën për të mbrojtur rendin kushtetues të ndërtuar prej vitit 1966 deri më 1974.

Kundër tyre u ushtrua dhunë. Serbia vendosi pushtet të drejtpërdrejtë policor-ushtarak, duke pezulluar edhe institucionet formale të autonomisë.

Megjithatë, Pranvera e tyre politike i hapi rrugë kohezionit shoqëror dhe artikulimit politik shumëpartiak. • Më delegatët e Kuvendit të Kosovës në kushte represioni, miratuan dokumentin e fundit ligjor të Kosovës brenda Jugosllavisë socialiste: Deklaratën për mëvetësinë e Republikës së Kosovës.

Pas Rezolutës së Bujanit, kjo ishte shprehja më e rëndësishme institucionale e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës. 4. Ndoshta përmbledhjen më të mirë të këtij shkrimi do ta japë Osman Osmani, njëri prej anëtarëve të organizatës që mori përgjegjësinë për demonstratat e vitit 1981.

Si koment ndaj postimit tim rreth polemikës së zhvilluar ai sugjeroi për një debat ku do “të ftohen përfaqësues të të gjitha rrymave të kohës: veprimtarë të organizatave ilegale pa dallim e pa përjashtim, ish-drejtues institucionalë, studentë, gazetarë, studiues dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë, që secili të sjellë dokumentet, dëshmitë dhe argumentet e vet”.

“Nuk besoj se ndokush e posedon i vetëm të vërtetën e plotë. Por jam i bindur se përmes ballafaqimit të ndershëm të fakteve dhe dëshmive mund ta plotësojmë mozaikun ende të papërfunduar të asaj periudhe dhe të sqarojmë shumë dilema që vazhdojnë të ndajnë jo vetëm interpretimet e ngjarjeve, por edhe vlerësimet për aktorët e tyre. Një debat i tillë nuk do t’i shërbente vetëm historisë.

Ai do t’i shërbente edhe pajtimit me të kaluarën dhe krijimit të një kulture të re dialogu ndër shqiptarë. Kemi nevojë ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, jo për të ndarë merita apo fajësi, por për të vazhduar së bashku rrugëtimin drejt një shoqërie më demokratike, me më shumë mirëqenie, zhvillim, prosperitet dhe bashkëjetesë”.

Historia e Kosovës nuk zvogëlohet kur pyetet; përkundrazi, vetëm duke u pyetur del më e madhe se mitet që krijohen për të.

Burimi: Koha