Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin nga monitorimi i gjykimit të rasteve të krimeve të luftës në Kosovë. Vonesat e zgjatura që lidhen me mosparaqitjen e dëshmitarëve, ndryshimet në përbërjen e trupit gjykues, cilësia dhe qartësia e aktakuzave, janë vetëm disa nga gjetjet kryesore të këtij raporti.
OSBE thotë në raport se cilësia dhe qartësia e aktakuzave vazhdojnë të ngjallin shqetësime në raste të caktuara. “OSBE ka vërejtur mangësi në individualizmin e akuzave, veçanërisht në raste që përfshijnë shumë të akuzuar dhe forma kolektive në përgjithësi”- thuhet në raportin e publikuar më .
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka theksuar se ka vërejtur disa zhvillime pozitive në gjykimin e këtyre rasteve. “Këto përfshijnë rritjen e përfshirjes së institucioneve gjyqësore të ngarkuara me ligj dhe kompetenca mbi procedurat para Departamentit Special, numër në rritje të rasteve të përfunduara gjatë periudhës së raportimit si dhe shembuj të praktikës së mirë në zbatimin e garancive të gjykimit të drejtë”- thuhet në raport.
OSBE ka theksuar sfidat lidhur me provat që vazhdojnë të ndikojnë në drejtësinë e gjykimit, duke theksuar se ka vërejtur mbështetje të përsëritur në deklaratat e mëparshme të regjistruara, ndonëse dëshmia e drejtpërdrejt do t’i garantonte më mirë të drejtat e mbrojtjes.
Ky raport paraqet gjetjet nga shtatë vite të monitorimit sistematik të procedurave për krime lufte para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në periudhat -. OSBE në raportin e publikuar thotë se sigurimi i dëshmitarëve dhe provave nga jashtë Kosovës vazhdon të jetë pengesë serioze.
OSBE ka monitoruar 48 raste të krimeve të luftës me gjithsej 138 të akuzuar para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtine. Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka thënë se ky raport është ndër analizat më gjithëpërfshirëse lidhur me rastet e gjykimeve të krimeve të luftës.
Ai tha se 1 në 5 raste të krimeve të luftës gjate kësaj periudhe janë shtyrë nga mungesa e paraqitjes së dëshmitareve e çereku i rasteve për shkak të ndryshimit të trupave gjykues. “Është me rendësi që kjo temë, kjo është analiza me gjithëpërfshirëse që nga themelimi i departamentit special. Periudha që mbulon raporti është tejet e rëndësishme.
Transferimi i rasteve nga EUELX-i dhe nisja e procedurave në gjykim në mungesë, janë zhvillimet më të rëndësishme në këtë periudhë. Raporti reflekton rëndësinë e gjykimit te drejtë dhe një procesi që i ruan të drejtat e palëve. 1 në 5 seanca janë shtyrë nga mungesa e paraqitjes së dëshmitarëve.
Çereku i rasteve është shtyrë nga ndryshimi i panelit gjyqësor, shumë raste janë shtyrë nga e para. Gjysmën e këtyre rasteve janë shtyrë për shkak të përkthimit”- tha McGurk. Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Genc Nimoni, tha se një raport i tillë ndihmon në rritjen e cilësisë dhe se do të marrin seriozisht gjetjet e raportit.
“Gjatë mandatit tonë kemi themeluar Institutin për Dokumentimin e Krimeve të kryera të Luftës në Kosovë, hartimin dhe miratimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale, ndryshimin e kodit penal për gjykimin në mungesë, avancimin e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale. Ky monitorim nga OSBE ndikon në ngritjen e cilësisë dhe rritjen e besimit tek publik.
Gjetjet do t’i marrim me shumë seriozitet”- tha ai. Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, tha se nuk është bërë aq sa duhet nga institucionet për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë. “Nuk është bëre ajo qe është dashur te behet kemi mijëra dëshmitarë që kanë vdekur pa e dhënë dëshminë e tyre. Kjo është një mundësi e parealizuar që shteti nuk e ka bërë atë që duhet.
Çdo ditë e kaluar do te thotë qe vendosje e drejtësisë është më e pamundur. Raporti i OSBE që po publikohet sot ka ne përmbajtjen e tij edhe sukseset e sfidat që na përcjellin”- tha Rexhepi. Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Agron Qalaj, tha se viteve të fundit Prokuroria Speciale ka bërë punë të madhe e të rëndësishme në ndjekjen e krimeve të luftës.
Raporti ndër të tjera rekomandon që Prokuroria Speciale të tregojë kujdes të veçantë kur mbështetet në dëshminë e dëshmitarëve për aktakuza dhe kërkesa për paraburgim, përfshirë vlerësimin të relevancës e besueshmërisë dhe të sigurojë individualizimin e aktakuzave.
