Botërori ndryshoi futbollin

0%

Kupa e Botës 2026 ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si luhet dhe perceptohet futbolli. Përveç rregullave të reja të prezantuara para nisjes së kompeticionit, turneu në SHBA, Kanada dhe Meksikë ka sjellë një sërë risish që kanë hapur një debat të gjerë mes tifozëve, trajnerëve dhe ekspertëve.

Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te penalizimet automatike për humbjen e kohës apo zgjerimi i kompetencave të sistemit VAR, i cili tashmë mund të ndërhyjë edhe në situata si goditjet nga këndi apo kartonët e dytë të verdhë. Vëmendjen më të madhe e kanë marrë dy ndërprerjet e detyrueshme treminutëshe gjatë çdo ndeshjeje, të prezantuara zyrtarisht si “pushime hidratimi”.

Megjithatë, kritikët i kanë cilësuar ato si “pushime reklamash”, duke argumentuar se synimi kryesor është krijimi i hapësirave të reja televizive për reklama me vlerë shumë të lartë. Sipas vlerësimeve, çdo bllok reklamash gjatë këtyre ndërprerjeve mund të arrijë vlera nga 7 deri në 9 milionë dollarë, të krahasueshme me reklamat e Super Bowl.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një tjetër pasojë e këtyre ndërprerjeve është zgjatja e konsiderueshme e kohës shtesë. Statistikat tregojnë një rritje të ndjeshme të golave të shënuar në minutat shtesë. Deri në fazën e 1/8-ave janë realizuar 31 gola në kohën shtesë. Debatet janë shtuar edhe për çështje disiplinore.

Një nga rastet më të diskutuara ishte heqja e pezullimit të sulmuesit Balogun, pavarësisht kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e mëparshme. Vendimi erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ishte “e padrejtë që lojtari më i mirë të humbiste ndeshjen pasardhëse”, duke bërë të ditur se kishte kërkuar nga FIFA një rishikim të rastit.

Balogun më pas luajti si titullar ndaj Belgjikës, ndërsa ky precedent nxiti diskutime edhe te kombëtaret e tjera për apelimin e pezullimeve të futbollistëve të tyre. Me rregulla të reja, kohë më të gjata loje dhe ndërhyrje gjithnjë e më të shumta në rrjedhën e ndeshjeve, Kupa e Botës 2026 po shndërrohet në një laborator të futbollit modern.

Mbetet për t’u parë nëse këto ndryshime do ta përmirësojnë spektaklin apo do ta largojnë sportin më popullor në botë nga identiteti i tij tradicional.

Burimi: Bota Sot