Drita ka marrë një rezultat pozitiv në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, duke barazuar 1-1 ndaj Kauno Zalgirist në udhëtim. Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të rikthehet në lojë falë golit të sulmuesit Blerim Krasniqi, duke shmangur humbjen para tifozëve të saj.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ndërsa skuadra mysafire arriti të kalojë në epërsi në minutën e 24-t. Pas një goditjeje nga këndi, topi u devijua në zonë nga Rokas Lekiatas, ndërsa Amine Benchaib u gjend në vendin e duhur për ta dërguar topin në rrjet dhe për ta çuar Kauno Zalgirisin në avantazh 1-0.
Drita tentoi të reagojë, por gjatë 45 minutave të para nuk arriti të krijojë raste të mjaftueshme për ta barazuar rezultatin. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të skuadrës lituaneze. Në pjesën e dytë, Drita u shfaq më kërkuese dhe e rriti presionin në kërkim të golit të barazimit. Momenti vendimtar erdhi në minutën e 82-të.
Pas një krosimi të bukur nga Raddy Ovouka, sulmuesi Blerim Krasniqi u ngrit më lart se mbrojtësit kundërshtarë dhe me një goditje të saktë me kokë e dërgoi topin në cepin e djathtë të portës, duke vendosur rezultatin 1-1. Ky rezultat shihet si pozitiv për skuadrën e Dritës, para ndeshjes kthyese që do të zhvillohet pas një jave në stadiumin ‘Fadil Vokrri’./ Telegrafi
